Ka shumë të ngjarë që sulmi izraelit mbi Spitalin Baptist Al-Ahli në Gaza të jetë kryer me bombën e telekomanduar MK-84, raporton Anadolu.
Eksperti i teknologjisë së mbrojtjes Arif Emre Orun i dha korrespondentit të Anadolu një vlerësim mbi bombën bazuar në të dhënat teknike dhe pamjet.
Orun, i cili zakonisht merret me inxhinierinë e sistemeve të mbrojtjes ajrore, tha se sulmet izraelite në Gaza kishin për qëllim shkatërrimin total dhe jo një operacion të drejtpërdrejtë dhe se për këtë arsye u zgjodhën bombat e serisë MK-84.
“Ka shumë indikacione se janë përdorur bomba fosfori. Përveç kësaj, vlerësohet se janë përdorur edhe bomba të gjeneratës së vjetër”, tha ai.
Ai theksoi se në Gaza nuk ka sisteme të mbrojtjes kundërajrore që i përkasin Hamasit.
– Përpjekje për dezinformim
Orun shtoi se Izraeli fokusohet kryesisht në municionet e serisë MK për shkak të taktikave të saj shkatërruese të luftës.
“Nga pala izraelite ka tentime për dezinformata se sulmin e ka kryer Hamasi, por kur bëhet një analizë teknike e fuqisë së shpërthimit, është e qartë se kjo nuk mund të kryhet me teknologjinë që posedon Hamasi. Duke pasur parasysh se raketat e zhvilluara nga Hamasi lëshohen nga toka, shumica e tyre përbëhet nga motorë raketash me lëndë djegëse të ngurtë”, tha eksperti turk.
Ai theksoi se fakti që masakra është kryer gjatë errësirës dhe se videoja e shpërthimit është regjistruar vetëm pas rënies së bombës, pamundëson arritjen e të dhënave të sakta për llojin e municionit.
“Duke pasur parasysh taktikat e përgjithshme të luftës dhe të dhënat teknike, mund të themi se në sulm është përdorur bomba MK-84”, tha ai.
– Karakteristikat teknike të bombës
Orun më pas shpjegoi karakteristikat teknike të bombës.
“PBXN-109 ose tritonali përdoret si eksploziv në municionet e tipit MK-84. Masa specifike e tritonalit përmban rreth 15-20 për qind më shumë energji se TNT. Kur marrim parasysh pajisjet dirigjuese, pesha totale e municionit i afrohet një toni. Duke marrë parasysh llojin e eksplozivit që përmban dhe kapacitetin e tij energjetik, ai mund të ketë një efekt vdekjeprurës në një rreze prej 200 deri në 250 metra në diametër. Madje edhe nëse shpërthimi ndodh brenda një ndërtese, dëmi është shumë serioz për shkak të efektit të presionit. Për shkak të efektit të grimcave, përveç që kanë një efekt vdekjeprurës në zonat e hapura me diametër rreth 350 metra, efektet e goditjes dhe fragmenteve që mund të shkaktojnë lëndime të rënda mund të shihen deri në rreth 750 metra nga vendi i shpërthimit”, deklaroi Orun.
Më shumë se 500 njerëz u vranë në sulmin ajror izraelit në Spitalin Baptist Al-Ahli të martën, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë. Izraeli, megjithatë, mohoi përgjegjësinë për sulmin ajror.