Edi Rama: Termi “mini-shengen” nuk më konvenon, mendoj dhe punoj për interesat e Shqipërisë e të Kosovës

Gjatë fjalës së tij në konferencën për shtyp, të mbajtur pas takimit të Samitit të Ohrit, kryeministri Edi Rama u ndal ndër të tjera te termi “mini-shengen”.

Gjatë fjalës së tij në konferencën për shtyp, të mbajtur pas takimit të Samitit të Ohrit, kryeministri Edi Rama u ndal ndër të tjera te termi “mini-shengen”.

“Mini-shengenin nuk e di kush e gjeti, mua nuk më konvenon. Duke qenë 198 centimetra, nuk jam ndjerë kurrë pjesë e një mini.”

Më tej, kryeministri shtoi:

“Kush flet për Jugosllavi mbase ka jetuar shumë gjatë aty, sepse unë nuk kam jetuar dhe nuk kam asnjë kujtim. Kush flet për një Shqipëri të Madhe duhet të heshtë. Nuk ka mundësi që unë të jem edhe mini jugosllav edhe shqiptaro-madh, jam një qytetar evropian”.

Fill pas përfundimit të konferencës së mbajtur mes kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic dhe kryeministrit Edi Rama, ky i fundit iu bashkua një bashkëbisedimi me gazetarët.

Gjatë një episodi të gjatë pyetje-përgjigjesh, Rama deklaroi se “drejtimi ynë është Perëndimi dhe nuk kemi asnjë drejtim tjetër.” Më pas u ndal gjerësisht te raportet Shqipëri-Kosovë dhe qëndrimet e tyre përkatëse lidhur me mini-shengenin.

“Mendoj dhe punoj për interesat e Shqipërisë dhe të Kosovës, të heqim kufirin. Jemi dy shtete të vogla, duhet të bëjmë gjëra me dialog dhe me zgjuarsi Ne duhet të shohim interesin tonë si shqiptarë. Duke u mbyllur dhe duke mos çuar përpara bashkëpunimin rajonal ne humbasim shumë. Kosova është e ftuar, të gjithë shtetet janë  të ftuara. Kosova më parë është ulur në tryeza. Në bashkëpunimin tim me Kosovën nuk ka ngërç, për mua të paktën nuk ka”, tha Rama.

Më tej shtoi se SHBA dhe Gjermania e mbështesin fuqishëm këtë proces.