Edi Rama: Spitali i Fierit do të jetë një bazë e transferimit të dijes

Në konferencën për mediat kryeministri Rama tha se spitali i Fierit do të jetë një bazë e transferimit të dijes dhe do të shërbejë si projekt pilot për transformimin e sistemit të administrimit brenda gjithë rrjetit të spitaleve në Shqipëri…

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përjavshme për mediat foli për projektin e spitalit të Fierit që po ndërtohet me mbështetjen financiare të Turqisë, angazhimin e institucioneve për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) dhe çështje të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).

Rama tha se spitali i Fierit do të jetë një bazë e transferimit të dijes dhe do të shërbejë si projekt pilot për transformimin e sistemit të administrimit brenda gjithë rrjetit të spitaleve në Shqipëri.

“Një transferim dijesh bazuar në modelin botërisht të njohur të suksesit në Turqi, ku ka një ndarje të qartë mes administrimit të aseteve dhe logjistikës me administrimin e burimeve njerëzore, ku vlerësimi i performancës të mjekëve sjellë edhe masën e shpërblimit të tyre”, tha kryeministri i Shqipërisë në lidhje me projektin e spitalit rajonal të Fierit, duke shtuar se spitali do të jetë publik.

Rama theksoi se ky projekt pilot do të jetë një burim shumë i rëndësishëm informacioni dhe dije në funksion të shtrirjes së modelit në të gjitha spitalet në Shqipëri.

Kujtojmë se punimet për ndërtimin e spitalit rajonal në Fier vazhdojnë prej disa javësh.

Në lidhje me investimet në sektorin e shëndetësisë dhe për pandeminë, Rama tha se spitalet COVID janë të pajisura me të gjitha aparaturat që duhen dhe që gjenden në çdo spital të Evropës.

“Kapacitetet laboratorike janë rritur katërfish nga dita e fillimit të kësaj lufte dhe numri i testimeve është dhjetëfishuar në krahasim me muajin qershor. Kanë hyrë në përdorim testet e shpejta që ofrohen sot në 53 pika testimi në komunitet pranë qendrave shëndetësore. Numri i epidemiologëve në terren për gjurmimin e COVID është rritur me 30 për qind”, u shpreh Rama.

Nga ana tjetër, pyetjes në lidhje me mundësinë e rrezikimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Rusisë pas dëbimit të diplomatëve nga të dy vendet, Rama iu përgjigj se “Thjesht ka një rënie të temperaturës së ulët të marrëdhënieve, por më shumë se kaq nuk besoj që do të ketë problem”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë konferencës me kryeministrin Rama, theksoi se ekspertët në Shqipëri janë duke vlerësuar dhe monitoruar ecurinë e pandemisë. Ajo theksoi se janë disa arsye të cilat kanë sjellë dyshime të arsyeshme për prezencën e varianteve të reja të COVID-19 në Shqipëri.

“Jemi duke bashkëpunuar me kolegët e Institutit të Shëndetit Publik të Turqisë për të trajnuar ekipin tonë të virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik për të evidentuar dhe për të analizuar variantet e reja”, u shpreh Manastirliu.