Edi Rama: Procesi i rindërtimit po garanton strehim cilësor dhe impakt në ekonomi

Si aspekte kryesore të procesit të rindërtimit, kryeministri Rama përmendi strehimin cilësor për familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, punësimin në kantiere dhe impaktin në ekonomi që ka ky proces...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përjavshme për mediat me temë “Ekonomia në fokus”, foli mbi procesin e rindërtimit për banesat e familjeve që janë prekur nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, ndërkohë ai theksoi se ky proces po ndikon ndjeshëm në ekonominë e Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Si aspekte kryesore të procesit të rindërtimit, Rama përmendi strehimin cilësor për familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, punësimin në kantiere dhe impaktin në ekonomi që ka ky proces.

Kryeministri Rama theksoi se procesi i rindërtimit po garanton strehim të ri dhe cilësor për familjet e goditura nga tërmeti dhe punësim.

“Punësim masiv po garanton për 27 mijë persona që janë përfshirë në këtë program dhe që falë kantiereve të hapura të rindërtimit në të gjithë perimetrin e zonës së prekur çojnë rrogën në familjet e tyre si dhe një impakt të konsiderueshëm në ekonomi, në një ekonomi të cenuar nga kjo kohë e mallkuar pandemie”, u shpreh Rama.

Ai tha se programi i rindërtimit ka ndikuar dhe po ndikon ndjeshëm në ekonominë e Shqipërisë. Rama tha gjithashtu se shkollat po ndërtohen sipas standardeve të larta evropiane.

Kujtojmë se pjesë e programit të rindërtimit është edhe projekti që financohet nga Turqia, i cili përfshin ndërtimin e 522 apartamenteve, që po zbatohet në Njësinë Administrative Laç, në Bashkinë e Kurbinit.

Nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, 51 persona humbën jetën, 913 të tjerë u plagosën, mijëra të tjerë u ndikuan në shëndetin e tyre, si dhe 202.291 persona u prekën në vend.

Rama për dëbimin e diplomatit rus: Nuk shoh asnjë arsye pse të krijohen tensione mes dy vendeve

Kryeministri Rama në lidhje me pyetjen nëse mund të krijohen tensione mes Shqipërisë dhe Rusisë pas shpalljes person të padëshirueshëm të një diplomati rus në Shqipëri, tha se nuk ka asgjë për t’u alarmuar për përshkallëzim konfliktesh.

“Nuk kam asnjë koment për këtë. Nuk shoh asnjë arsye pse të krijohen tensione mes dy vendeve. Rasti është një rast fatkeq i ditur dhe arsyet janë bëtë publike. Nuk ka asgjë këtu për t’u alarmuar për përshkallëzim konfliktesh mes vendesh”, tha Rama.

Kujtomë së më 21 janar të këtij viti, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ), konfirmoi se Qeveria e Shqipërisë ka marrë vendim të shpallë person të padëshirueshëm diplomatin rus, Alexey Krivosheev, për shkeljen e masave kundër koronavirusit të ri (COVID-19).

Në lidhje me vaksinat kundër COVID-19, Rama tha se kanë zgjedhur vaksinat e prodhuara “në krahun perëndimor sepse ne jemi pjesë e familjes evropiane”. “Vonesa e krijuar është një vonesë që nuk ka lidhje me ne, por është një vonesë që nuk do të jetë kronike”, theksoi Rama.

Kujtojmë se Shqipëria filloi zyrtarisht më 11 janar fushatën e vaksinimit kundër COVID-19 dhe aktualisht ka filluar edhe procesi për dozën e dytë për personelin shëndetësor që u vaksinuan në fazën e parë.