Edi Rama flet pas mbledhjes së Kryesisë: Të shtunën Asambleja e partisë, ja temat e diskutimit

Kryeministri Edi Rama është ndaluar për gazetarët pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë. Ai ka zbardhur diskutimet e bëra dhe atë çfarë pritet në Asamblenë e së shtunës.

Rama tregoi para gazetarëve se në mbledhje u diskutua për zgjedhjen e kryetarëve të rinj të PS në 61 bashkitë e vendit, si dhe shtoi se një tjetër çështje që do të diskutohet do të jetë ajo e Presidentit të ri.

“Sot kemi diskutuar për procesin e hyrjes së zgjedhjes në parti për kryetarët e të gjitha njësive. Në Asamblenë Kombëtare do të miratojmë një sërë dokumentesh që janë miratuar në kryesi, që burojnë nga Kongresi. Pati informacion nga grupi i posaçëm që kemi ngritur. Sot, sipas informacionit që morën kanë filluar bisedimet zyrtare me palët e tjera në Kuvendin e Shqipërisë në përpjekje për të nxjerrë një kandidaturë që mund të ketë një konsensus më të gjerë në Kuvend”, tha Rama.