Dy standardet e Lindita Nikollës, përlotet para mësuesve pa kontrata pune

“Sa të jem në detyrë nuk do të rresht për t’iu takuar ju në çdo shkollë të Shqipërisë duke iu pyetur ku po gaboj. Ju do më ndihmoni duke më thënë të vërtetën. Sepse ju jeni siguria, ju jeni suksesi.”

Këto ishin fjalët që tha Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla teksa përlotej, dje, në një ceremoni të organizuar nga Kryeministri Edi Rama me rastin e festës së 7-Marsit.

Sigurisht mes fjalimeve të gjata të Ministres Nikolla dhe Kryeministrit Rama nuk kishte hapësirë të mjaftueshme për të diskutuar pse mbi 36 mijë mësues në gjithë Shqipërinë janë aktualisht pa kontrata pune.

Që prej majit 2017, kur mbaroi kontrata e mëparshme, mes Ministrisë së Arsimit dhe dy sindikatave të pavarura të arsimit, ku bëjnë pjesë 36 mijë mësuesit, nuk ka kontratë.

Kjo kontrat, përveçse rregullon marrëdhënien e punës së mësuesve, ndër të tjera, siguron mbrojtjen e mësuesve nga shkarkimet pa shkaqe dhe siguron dëmshpërblim në rastin kur kjo ndodh.

Por mungesa e kontratës, sipas Presidentit të Sindikatës së Arsimit, Nevrus Kaptelli, ka bërë që shumë drejtues shkollash të ushtrojnë presion mbi mësuesit:

“Drejtues të caktuar në rrethe të ndryshme kërcënojnë për largim nga puna. [Ka raste] ku drejtori i shkollës i thotë [mësuesve], “ju nuk do të jeni më në punë sepse nuk kemi nevojë”.”

Procedura për nënshkrimin e kontratës mes Ministrisë së Arsimit dhe sindikatave, zyrtarisht ka nisur në muajin janar, por ende nuk dihet se përse procesi ka ngecur.

“I jemi drejtuar vazhdimisht Ministrisë së Arsimit me shkresa dhe emaile  dhe nuk kemi një përgjigje për këtë”, ka deklaruar Zoti Kaptelli.

Ndërkohë Ministrja Nikolla, për Ora News, e ka quajtur procesin, megjithëse pothuaj 9 muaj të vonuar, normal:

“Është një proces që ka kërkuar kohën e vet për të qënë i drejtë dhe për të qenë konform ligjit. Shumë mire, asnjë shqetësim nuk kemi, shumë shpejt do të kemi vendimmarrje.”

/exit.al/