Drogë dhe armë e ftohtë- Arrestohet 28-vjeçari në Kurbin, një tjetër shpallet në kërkim

Një shtetas ka rënë në pranga dhe një tjetër është shpallur në kërkim pas një operacioni policor në Kurbin ku u sekuestruan 6 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa dhe një armë e ftohtë.

Kështu, u arrestua K. M., 28 vjeç, banues në Sanxhak, Kurbin; si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit  A. M., 23 vjeç, banues në Sanxhak, Kurbin.

Shërbimet e Policisë, pas informacioneve të marra se këta dy shtetas po transportonin me automjet një sasi lënde narkotike, kanë ndërhyrë në vendin e quajtur “Shullaz” duke bllokuar automjetin dhe shtetasin K. M. Gjatë kontrollit në automjet u gjet një sasi prej rreth 6 kg kanabis.

Në përfundim të veprimeve u bë shpallja në kërkim edhe e shtetasit A. M., si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e K. M., u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë e ftohtë thikë.

Po gjatë kontrolleve të shtuara, në orët e vona të natës Policia kapi dhe procedoi penalisht 21-vjeçarin K. N., banues në Lezhë, i cili qarkullonte me një pistoletë imituese.

Materialet iu referuan prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” në ngarkim të shtetasit K. M. dhe për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mosbindja nda urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” në ngarkim të shtetasit A. M.