Drejtori i Përgjithshëm i AA-së, Karagöz, letër mbështetëse për Associated Press dhe Al Jazeera

Drejtori i Përgjithshëm i Anadolu Agency, Serdar Karagöz, ofroi për shërbim zyrat e AA-së në Gaza për reporterët zyrat e të cilëve u shkatërruan në sulmet izraelite

Kryetari i Bordit dhe Drejtori i Përgjithshëm i Anadolu Agency (AA), Serdar Karagöz, u dërgoi letra agjencisë amerikane të lajmeve Associated Press (AP) dhe shtëpisë televizive me bazë në Katar Al Jazeera, pas sulmeve të Izraelit ndaj një ndërtese në Gaza ku ishin zyrat e tyre.

Në letrat drejtuar Drejtorit Ekzekutiv të Associated Press Garry Pruitt dhe Kryetarit të Bordit të Al Jazeera-s Sheik Hamad bin Thamer al-Thani, Karagöz tha se ishin të tmerruar për faktin që ushtria izraelite kishte sulmuar zyrat e AP-së dhe Al Jazeera-s në Gaza.

Ai vuri në dukje se pas rritjes së tensioneve javën e kaluar, Izraeli shënjestroi gazetarët që raportonin për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe krimet e luftës, duke bërë kështu histori.

“Është e papranueshme që Izraeli synon organizatat e medias dhe kështu përpiqet të privojë botën nga e drejta për t’u informuar”, theksoi Karagöz.

Ai gjithashtu rikujtoi se AA ishte dy herë shënjestër e sulmeve nga forcat izraelite. Gjashtë reporterë u plagosën rëndë dhe redaktori i Departamentit të Lindjes së Mesme Turgut Alp Boyraz u qëllua dy herë në këmbë. Karagöz vuri në dukje se AA solidarizohet me AP-në dhe Al Jazeera-n dhe ekipet e tyre në Gaza.

Ai shtoi se janë jashtëzakonisht të tronditur për punonjësit e AP-së dhe Al Jazeera-s të cilët mezi i mbijetuan sulmin izraelit.

Karagöz theksoi se luten për sigurinë dhe ofroi që reporterët e AP-së dhe Al Jazeera-s të përdorin zyrën e AA-së në Gaza.

Ai theksoi rëndësinë e unitetit dhe solidaritetit në kohë të vështira kur zyrtarët izraelitë kërcënojnë parimet e raportimit të drejtë dhe objektiv dhe lirinë e medias.

“Dënojmë sulmin dhe u bëjmë thirrje të gjitha organizatave të medias në botë, si dhe organizatave të tjera, të dënojnë sulmin dhe të kërkojnë përgjegjësi nga zyrtarët izraelitë”, tha Karagöz.

Drejtori i përgjithshëm i AA-së konsideron se bashkësia ndërkombëtare me të gjitha mjetet duhet të ndalojë sulmet izraelite ndaj gazetarëve dhe civilëve, veçanërisht fëmijëve.