Drejtësia shqiptare dhe ‘pema e fikut’

Nga Malik Hasa

Në vitin 1990 Shqipëria doli nga sistemi komunist dhe hyri në atë pluralist. Si çdo reformë e jetës në vend nisi dhe reforma në drejtësi, një rrugëtim i cili prej 28 vitesh ende është rrugëve.

Sipas një gojëdhëne një person me 6 muaj kualifikim në një kurs trajnimi për drejtësi të siguruar nga ndërkombëtarët emërohet gjykatës (normalisht me mik) dhe pas disa vitesh ndërkohë që i vjen koha e daljes në pension, gëzon faktin që edhe djali i tij, i cili ndryshe nga i ati me 6 muaj kurs, kishte mbaruar Fakultetin e Drejtësisë dhe ishte emëruar më në fund gjykatës (patjetër me mik).

Në të njëjtën ditë gëzonte dy gjëra, pensionin dhe seancën e parë gjyqësore të djalit… E ku kishte më mirë se ajo ditë… Sapo djali i tij vjen nga gjykata vrapon tek i ati, veterani i gjykatës nga e cila ai kishte dalë me sukses nga seanca e parë.

“Baba! Baba! Jam shumë i lumtur. Unë sot hyra në çështjen time të parë dhe me një mjeshtri të madhe arrita ta zgjedh çështjen me herën e parë,” thotë djali i ujkut të vjetër të po të njëjtës gjykatë. Babai i habitur pyet djalin se çfarw çështjeje ishte dhe si e zgjodhi. Djali i kthehet: Erdhën dy vëllezër nga një fshat. Kishin kohë që ziheshin për një pemë fiku dhe prej vitesh vazhdonin kalvarët e gjyqeve për këtë çështje. Urdhërova të shkojmë në vendin e ngjarjes dhe më pas preva pemën e fikut. Në këtë mënyrë zgjodha njëherë e përgjithmonë çështjen…” I heshtur dhe buzagaz djali pret që i ati ta përqafojë dhe ti thotë ‘të lumtë’. Por ujku i vjetër i bërtet duke i thënë se ka bërë gabimin e jetës…

“Ç’ke bërë kështu? Unë me atë pemë fiku të rrita, të shkollova dhe arrita të paguaj që ti të emërohesh gjykatës… Ndërsa ti çfarë bën? Shkon e pret fikun…”

Vetëm tani e kishte kuptuar djali që ishte fryt i një peme fiku të një sistemi drejtësie që nuk do të bëhej kurrë…

Të gjithë thonë që kjo është një histori e vërtetë, por unë dua të gënjej veten duke thënë se nuk është gjë tjetër, vetëm se një ëndërr e keqe që fatkeqësisht ka zgjatur pak si shumë, plot 28 vite. Më e keqja është që s’ka fund…

Reformë në drejtësi, reformë në drejtësi, reformë në drejtësi… Kjo është kryefjala e çdo gjëje që shohim nëpwr televizione, por pjesën që vjen më pas nuk arrijmë ta kuptojmë pasi janë fjalë të koklavitura dhe të mëdha saqë edhe kuptimin nuk ja dimë.

Përfundimi i dhjetëra reformave dhe në fund edhe qershia mbi tortë, ‘vetingu në çdo institucion të drejtësisë’… Sa bukur tingëllon? Një njeri i sinqertë që jeton në një fshat të thellë pas malit të Dajtit mund të gënjehet lehtë…

Le ti lëmë ëndrrat dhe të zgjohemi duke u kthyer në realitet. Nuk dua të ndalem tek gjëra të vogla si burgosje për vjedhje të energjisë elektrike, lidhjeje uji në mënyrë të paligjshme apo diçka tjetër të vogël të ngjashme me këtë. Dua të flas për një bela që e ka emrin drejtësi, por me ryshfet dhe padrejtësi të ngulur deri në palcë. Nuk do të ndalem as tek arrestimet injorante të aksidenteve me plagosje të lehta, ku loja e dhjetëfishtë e gjykatësve, prokurorëve dhe të gjithë sistemit gjyqësor punojnë për një ryshfet më shumë ku përfundimi i tyre është 5-10 apo 15 mijë Euro dhe më pas një faturë e majme edhe për shtetin për shkak të arrestimit të pa arsyetuar që i paguhet të dëmtuarit. Dua të ndalem tek vrasësi drejtësi që mori 3 jetë njerëzish në një fshat të Klosit. Shpresoj që edhe atje shkak i kësaj të mos ketë qenë një pemë fiku apo një gardh, megjithëse ka shumë gjasa që historia e mësipërme e pemës së fikut këtë herë përfundoi me një tragjedi. Për çfarë flasin politikanët tanë? Premtimet boshe për të ndërtuar një rrugë që prej 28 vitesh kurrë nuk është bërë? Apo për një sistem drejtësie që nuk duan ta bëjnë kurrë? Ata ende nuk e kuptojnë që historitë e fikut përsëriten pasi viktimat janë ata të cilët japin votën dhe jo të votuarit. Ata që i besojnë historive të fikut nuk duhet të harrojnë se shndërrimi i drejtësisë në një të tillë nesër mund të jetë një histori fiku edhe për vetë ata.