Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka mbërritur në ambientet e SPAK nga qelia e tij Nr.5 e burgut “313”, përmes tunelit që lidh këtë institucion me Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Meta është thirrur për të dhënë dëshminë e tij si person në hetim në lidhje me dosjen CEZ/DIA, e cila ka të bëjë me hetimet mbi dyshimet për abuzime në sektorin energjetik.
Siç parashikohet nga procedurat ligjore, Meta është shoqëruar në SPAK në prani të avokatit Genc Gjokutaj, për t’u pyetur nga prokurorët që po hetojnë rastin.
Dje, në një seancë të ngjashme, ishin thirrur edhe disa figura të tjera të afërta me ish-Presidentin. Mes të thirrurve për t’u marrë në pyetje ishin bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, e cila është aktualisht në proces divorci, nëna e saj, Fatime Kryemadhi, dhe bashkëpunëtorja e ngushtë e çiftit, Ema Çoku.
Sipas informacioneve, as Monika, as Fatime Kryemadhi dhe as Ema Çoku nuk kanë pranuar të japin asnjë deklaratë përpara prokurorëve.
Kujtojmë që ish-Presidenti u arrestua më 21 tetor 2024 në ish-sheshin “Shqiponja” dhe ndodhet në qeli në masën e sigurimit “Arrest me burg”.