“Do vijnë më pak vaksina nga sa kishim në marrëveshje”, Rama zbulon se kur do të mbërrijnë dozat e Pfizer: Nuk po nxjerr ndonjë sekret…

Kreu i qeverisë Edi Rama ka qenë sot në një takim me qytetarë dhe profesionistë të ndryshëm në Korçë, ku mes të tjerave është pyetur dhe mbi vaksinën Pfizer, e cila tashmë ka dalë nga marrëveshja, dhe nuk ka sjellë asnjë dozë në Shqipëri për muajin Janar, në ndryshim nga sa ishte premtuar.

Rama dha lajmin se Pfizer do të nisë furnizimin ditën e hënë, por me një numër dozash më të vogël nga sa ishte parashikuar fillimisht, ndërsa sipas kryeminsitrit po vijojnë negociatat me kompanitë e tjera.

“Ne kemi një trup mjekësh dhe infermierësh që është realisht për tu respektuar, dhe ka një hendek të madh mes punës që ata bëjnë dhe perceptimin që ushqehet në mënyrë të konsiderueshme nga eksperiencat e këqija të së shkuarës, dhe nga fakti që shumëkush nuk ka pasur nevojë që të shkojë në spital në vitet e fundit, dhe ka tregime nga të tjerët për kohën kur spitalet ishin në gjendje katastrofike.

Por ushqehet dhe nga raste të neveritshme, siç ishte ai i sanitares, por edhe 30 raste të jenë nuk mund ta rrëzojnë kurrrsesi investimin e mjekëve dhe infermierëve në mbrojtjen e jetës së njerëzve, posaçërisht në këtë periudhë. Sa i takon vaksinës ju besoj se po e ndiqni se çfarë po ndodh në Europë me vaksinën dhe me vështirësinë që kanë vendet për të garantuar furnizimin sipas kushteve të vendosura më parë, për shkak se kompania Pfizer ka bllokuar prodhimin, pasi pretendon se i duhet kohë për rritjen e kapacitetit të prodhimit.

Është e kuptueshme se e gjithë planeti do vaksinën, megjithatë ne në radhë të parë më vjen mirë që ia dolëm të dalim nga rrethimi që u gjendëm jo për fajin tonë, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit që u lamë jashtë skemës së shpërndarjes së vaksinës nga vendet e tjera të BE-së. Më vjen mirë që bëmë një marrëveshje me vetë kompaninë Pfizer, jashtë skemës së Covax, që edhe pse thonë se do e nisë shpërndarjen në Shkurt po nuk dihet.

Me Pfizer duhet të kishin ardhur 10 mijë doza në javën e tretë të Janarit, por nuk i patëm në kohë, më vjen mirë tiu them se kemi marrë konfirmimin se do të nisë furnizimi nga Pfizer ditën e hënë, nuk po nxjerr sekret këtu. Do të fillojë me një sasi më të vogël nga sa na u premtua”, tha Rama.