“Do ta vazhdojmë solidaritetin dhe ndihmën për popullin shqiptar”

Aktiviteti "Le të qeshin fëmijët", organizuar në Shëngjin, kishte si qëllim mbështetjen ndaj fëmijëve, familjet e të cilëve janë prekur nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri që shkaktoi dhjetëra të vdekur dhe qindra të plagosur

Nën kujdesin e Grupit të Grave Sipërmarrëse pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi (ATTSO) dhe me mbështetjen e Zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, u organizua në Njësinë Administrative Shëngjin të Qarkut Lezhë, aktiviteti “Le të qeshin fëmijët”, me qëllim mbështetjen ndaj fëmijëve, familjet e të cilëve janë prekur nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri që shkaktoi dhjetëra të vdekur dhe qindra të plagosur, raporton Anadolu Agency (AA).

Aktiviteti u organizua me pjesëmarrjen e Ayşegül Erdal Yörük, bashkëshortes së Ambasadorit të Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yöruk, njëkohësisht edhe kryetare nderi e këtij grupi, sipërmarrëse, fëmijëve dhe prindërve.

Ayşegül Erdal Yörük, në një deklaratë për mediat theksoi se me udhëzimet e presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, të gjitha institucionet dhe organizatat e Turqisë, Autoriteti Turk për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD), Gjysmëhëna e Kuqe Turke, ekipet e Ministrisë së Shëndetësisë, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), erdhën në Shqipëri për të shëruar plagët e popullatës vendase dhe për të mbështetur vëllezërit shqiptarë që nga orët e para të tërmetit.

“Sot jemi këtu së bashku me afaristet anëtare të Grupit të Sipërmarrëseve Femra të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi, gratë e pjesëtarëve të ambasadës sonë, me Fondacionin Maarif të Turqisë dhe gratë e investitorëve turq që kanë biznese lokale, për fëmijët që kanë humbur shtëpitë nga tërmeti dhe u është prishur rendi. Gjatë dhe pas tërmetit, ne si të rritur kaluam një kohë shumë të vështira, ndërsa imagjinoni se si janë ndier fëmijët dhe sa kanë qenë të shqetësuar”, tha ajo.

Më tej ajo u shpreh qëllimi i aktivitetit ishte që t’u japin fëmijëve kurajë dhe t’i bëjnë të buzëqeshin. Ajo gjithashtu shtoi se me psikologun e Fondacionit Maarif të Turqisë synojnë po ashtu të ofrojnë mbështetje profesionale për rehabilitimin psikologjik të këtyre fëmijëve sa më shumë që të jetë e mundur.

“Ne duam që fëmijët gjithmonë të qeshin. Si bashkëshorte në Ambasadën e Turqisë në Shqipëri, ne jemi shumë të lumtura që kemi mundësi të realizojmë këtë aktivitet humanitar së bashku, krah për krah, me fëmijët tanë shqiptarë. Ne dëshirojmë t’i vazhdojmë këto lloje aktivitetesh dhe të jemi në sado pak zgjidhje për problemet e vëllezërve tanë shqiptarë gjatë këtyre ditëve të errëta. Sikurse në të kaluarën, ne do ta vazhdojmë këtë solidaritet dhe ndihmë që buron nga zemra për popullin shqiptar. Fëmijët e vëllezërve tanë shqiptarë janë edhe fëmijët tanë. Kudo në botë, ne duam që ‘Fëmijët gjithmonë të qeshin’ “, u shpreh bashkëshortja e Ambasadorit të Turqisë në Tiranë.

Eni Xheko, zëvendëskryetare e Grupit të Grave Sipërmarrëse pranë ATTSO në deklaratën e saj theksoi se falë zonjës së ambasadorit turk sot kanë ardhur në këtë aktivitet për t’iu dhënë gëzim fëmijëve të cilët kanë humbur shtëpitë e tyre dhe jo vetëm.

“Kam ardhur si nënë e dy fëmijëve që vazhdojmë të ndiejmë akoma atë stres dhe presion të tërmetit. Kemi sjellë pak ndihma me aq sa mundemi që të kënaqen këta fëmijë. Kemi qenë në Thumanë, në Vorë dhe në disa qytete të tjera. Sot jemi këtu dhe do të vazhdojmë falë edhe ndihmave të Ambasadës turke, por jo vetëm. Ne do të vazhdojmë të shkojmë aty ku mundemi”, tha Xheko.

I pranishëm ishte edhe Yiğit Arman, anëtar i Bordit Drejtues i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi (ATTSO), i cili në deklaratën për mediat tha se “Nuk do t’i harrojmë këto momente vëllazërore dhe shumë emocionuese”.

“Nën udhëheqjen e zonjës së ambasadorit turk në Tiranë, jemi mbledhur të gjithë së bashku me qëllim që sado pak t’i bëjmë fëmijët të qeshin. Nën udhëheqjen e Ambasadës turke në Shqipëri, Qeveria turke së bashku me Qeverinë shqiptare po hartojnë një plan afatgjatë për t’iu ardhur në ndihmë popullit vëlla shqiptar, që është prekur nga kjo situatë”, theksoi Arman.

Në aktivitetin e organizuar në ambientet e një resorti u mbajt një program muzikor, u interpretuan lojëra të ndryshme zbavitëse, ndërsa fëmijëve të prekur nga tërmeti iu ndanë dhurata të ndryshme.

Institucionet dhe organizatat e ndryshme nga Turqia që në ditën e parë të tërmetit kanë vazhduar shpërndarjen e ndihmave dhe ofrimin e shërbimeve të tjera për familjet e prekur nga tërmeti.

Tërmeti me magnitudë 6,3 ballë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor, përveçse shkaktoi 51 persona të vdekur dhe qindra të plagosur, shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale. Si pasojë e tërmetit janë shkatërruar dhe dëmtuar pallate, shtëpi, monumente kulturore, shkolla, objekte të institucioneve, ndërsa vendi u godit në ditët e fundit edhe nga disa tërmete të tjera.