Dje me lopët, sot trajner i Barcelonës

“Është një ditë speciale për mua. As në ëndrrat më të bukura nuk e kisha imagjinuar se do të vija këtu. Jam i vetëdijshëm për privilegjin që mund të stërvis Messin dhe lojtarët më të mirë në botë. I admiroj sepse janë shumë të talentuar”, tha Setien. 

Të fitosh gjithçka të mundur, me kushtin që skuadra të luajë futboll të bukur. Kjo është filozofia me të cilën Quique Setien u prezantua si trajneri i ri i Barcelonës.

61-vjeçari, i cili njihet për lojën spektakolare që implementon në ekipet e tij, u shpreh gati të vdesë për idetë e tij: “Para pak orësh isha duke shëtitur në rrugët e fshatit tim, mes lopëve, ndërsa tani ndodhem te Barcelona. Kërkojmë të fitojmë çdo trofe, ky është synimi i klubit. Por, si objektiv kemi edhe lojën e bukur. Mënyra më e mirë për të patur sukses është të luash bukur. Jam i gatshëm të vdes për idetë e mia”.

Trajneri firmosi kontratën me klubin deri në vitin 2022, por aty ka edhe një klauzolë të veçantë. Barcelona mund të shkëpusë marrëdhënien me trajnerin prej kësaj vere, pra vetëm pas gjashtë muajve. Kushti nuk e shqetëson Setienin, i cili ndihet në parajsë, pasi ka shansin të punojë me Lionel Messin.

“Është një ditë speciale për mua. As në ëndrrat më të bukura nuk e kisha imagjinuar se do të vija këtu. Jam i vetëdijshëm për privilegjin që mund të stërvis Messin dhe lojtarët më të mirë në botë. I admiroj sepse janë shumë të talentuar”, tha Setien.

Përpara se të prezantohej, Quique Setien zhvilloi stërvitjen e parë me skuadrën. Ai do të debutojë me Barcelonën më 19 janar, kundër Granadas.