Djalin e infektuar me Covid-19, flet deputetja e PS: Asnjëri nuk është i përjashtuar, ruani veten që ta fitojmë këtë luftë

Mbrëmë në media u publikua lajmi që djali i deputetes së Partisë Socialiste, Antoneta Dhima ishte infektuar me Covid-19. Djali i deputetes është i shtruar në Spitalin Infektiv dhe është nën kujdesin e mjekëve.

Deputetja e PS e ka aprovuar lajmin. Me anë të një postimi në facebook deputetja sqaron se nuk ka dijeni sa nga kush i është infektuar i biri dhe si nënë ajo ka bërë çdo gjë të mundur që djali i saj të evitonte kontaktet me personat e tjerë.

Gjithashtu deputetja Dhima ka një këshillë për të gjithë. “Këshilla ime si nënë është të ruani veten, pasi vetëm kështu mund ta fitojmë këtë luftë, të ashpër por jo të pamundur”- shkruan Dhima në facebook.

Postimi i plotë:

Të nderuar miq.
Pas publikimit të një informacioni të dhënë miqësisht, më lind e drejta që në këtë situatë jo shumë të këndëshme të ndalem edhe unë me pak fjalë.
Si qytetarë që punojmë e jetojmë në këtë vend, nuk jemi të përjashtuar nga asgjë, aq më tepër nga semundjet dhe “armiqtë e padukshëm”.
Është e vërtetë që im bir ka rezultuar pozitiv ndaj testit të COVID-19, dhe tashmë ndodhet në mjediset e Spitalit Infektiv nën kujdesin e mjekëve dhe infermierëve pas disa ditëve karantinë në shtëpi.

E ndodhur përballë këtij fakti, si nënë, kam bërë gjthcka munda për të evitur kontaktet e tim biri me persona të tjerë, ndërsa u pa e arsyeshme që ai të qëndronte nën kujdesin e mjekëve dhe infermierëve.

Besimplotë se falë punës dhe përkushtimit të mjekëve dhe infermierëve, gjithcka do të shkoj siç duhet, doja t’ju thosha të gjithëve që të tregoheni të kujdessshëm, të zbatoni rregullat dhe respektoni vendimet e marra.
Edhe pse ende nuk e di se si im bir është prekur nga ky virus, këshilla ime si nënë është të ruani veten, pasi vetëm kështu mund ta fitojmë këtë luftë, të ashpër por jo të pamundur!

# BashkëDoIaDalim 🤝