Dialogu Kosovë-Serbi/ Ruçi: Serbia ka kryer krime dhe ka fshehur kriminelë. Konjufca: Të mbrohet UÇK

Kryeparlamentari i Shqipërisë Gramoz Ruçi është takuar në Tiranë me homologun nga Kosova, Glauk Konjfuca.

Në takimin e tyre, Ruci tha foli për dialogun Kosovë-Serbi duke thënë se Tirana njeh Serbinë si një palë përgjegjëse për krimet e luftës së Kosovës.

Gramoz Ruçi: Është e rëndësishme që Kosova të ruajë avantazhin e saj në raport me Serbinë. Kosova është një vend më i preferuar në raport me shtetet, që ne kemi pasur e kemi raport strategjik. BE është e vetmja rrugë e ardhmërisë për Kosovën dhe Serbinë. Duhet një qëndrim i unifikuar për dialogun me Serbinë, sepse është Serbia ajo që ka kryer krime lufte, ka fshehur kriminelë, në kërkim për dekada të tëra dhe nuk ka bashkëpunuar me gjykatat ndërkombëtare dhe justifikon krimet e veta. Koha punon për Kosovën, sepse është në anën e drejtë të drejtësisë dhe nuk do rreshtim së punuari për të.

Ndërsa Konjufca vlerësoi se Kosova nuk duhet që të dëmtohet nga dialogu me Serbinë dhe bëri thirrje për bashkëpunim me Shqipërinë që të mbrohet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Glauk Konjufca: Shqipëria ka dhënë kontribut të çmuar për Kosovën. Prandaj, në shtetin tonë ka një traditë në Kosovë, që vizitën e parë zyrtare e bëjmë në Shqipëri. Ne kemi interesa të përbashkëta sepse jemi një komb. Politika jonë duhet të funksionojë sipas premisës se jemi një komb. Sfidat tona janë të përbashkëta. Falënderoj Shqipërinë dhe institucionet e shtetit shqiptar për ndihmën nga koronavirusi.

Duhet të thellojmë bashkëpunimin në ekonomi dhe në fusha të tjera. Të thellojmë bashkëpunimin, sepse jemi dy shtete, që kanë të përbashkët faktin se jemi një komb. Kosova të mos dëmtohet nga dialogu me Serbinë. Ne na duhet koordinimi me Shqipërinë, ne po përballemi edhe me proces të vështirë me Specialen, teksa ish-krerë të UÇK-së po gjykohen në Hagë. Të bashkërendojmë veprimet tona. Lufta jonë ishte e shenjtë, e drejtë dhe e pastër e ka qenë dhe e gjithë kombit shqiptar. Prandaj, lufta e UÇK-së duhet të mbrohet. Ju ftoj zyrtarisht që të vizitoni shtetin e Kosovës.