Dhunuan efektivët policor pas thyerjes së orës policore, jepet masa e sigurisë për dy të rinjtë në Berat

Gjykata e Beratit ka dhënë masën e sigurisë për dy të rinjtë e arrestuar mbrëmjen e të dielës, pasi dhunuan efektivët policor të cilët i ndaluan pas konstatimit se kishin thyer orën policore.

Gjykata  vendosi masën e arrestit për dy të rinjtë A.F., 21 vjeç dhe E. A., 27 vjeç, ku njëri është lënë në arrest shtëpiak, ndërkohë që tjetri me “Detyrim paraqitje”.

Spas njoftimit të policisë këta shtetas kanë qenë duke qarkulluar në rrugë , gjatë orarit të ndalimit të lëvizjes, në kundërshtim me Aktin Normativ dhe në momentin që janë konstatuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, i kanë kundërshtuar edhe me dhunë.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Nga ana tjetër familjarët e të ndaluarve kanë dhënë një version tjetër të ngjarjes, ku rrëzojnë deklaratat e policisë dhe pohojnë se kanë qenë dëshmitarë okular kur kanë gjetur dy të rinjtë të cilët rriheshin brutalisht nga policia dhe jo e kundërta.