Dhjetëra familje nga Shqipëria të prekur nga tërmeti gjejnë strehim në Prizren

Mbi 500 shtetas shqiptarë janë vendosur në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve (PIT) në Prizren nga e premtja, duke përmbushur kapacitetet, ndërsa 121 persona janë strehuar në sallën e sporteve të një gjimnazi në Prizren

Dhjetëra familje apo 121 shtetas të Shqipërisë nga qyteti i Durrësit, të ardhur që nga e mërkura në Kosovë pas tërmetit që ndodhi atje, janë strehuar në sallën e sporteve të gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren që nga e premtja, raporton Anadolu Agency (AA).

Kjo pasi që Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve (PIT), në të cilin u vendos nga Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Prizrenit që të shfrytëzohet për strehimin e të prekurve nga tërmeti, u mbush të premten, duke strehuar mbi 500 njerëz.

Familjet të cilat tani kanë përfunduar në sallën e sporteve në Prizren, kanë ardhur në Kosovë të mërkurën, kanë qëndruar në rajonin e Prishtinës e në Mitrovicë deri të premten në shtëpi private, ndërsa të premten duke shpresuar për strehim në kamp (PIT), kanë mbetur jashtë pasi që aty është mbushur numri.

Fëmijë, gra, burra e pleq u morën nga qytetarë vullnetarë mbrëmjen e së premtes dhe në koordinim me Komunën e Prizrenit dhe Gjimnazin “Gjon Buzuku” u strehuan në sallën e sporteve.

Disa nga këta qytetarë të komunitetit pakicë në Shqipëri, tani thonë se janë ndarë me anëtarë të familjes, të cilët kanë hyrë me herët se ata në kamp dhe kërkojnë të bashkohen me ta.

Besjana Roçi, nëna e dy djemve nga Durrësi bashkë më familjen e saj të gjerë 14-të anëtarëshe, thotë se tash e dy ditë donatorët dhe njerëzit vullnetmirë atyre po u sjellin “ushqim dhe gjëra të nevojshme për fëmijë”.

“Ishalla shtetet gjithë bashkohen që ne të na çojnë në një vend më të mirë, më të sigurt se kjo. Të ketë çdo njeri dhomën e vet të jemi më rehat. Ne falënderojmë Zotin me këtë që kemi shpëtuar në radhë të parë”, thotë Roçi për AA, e cila shtron si kërkesë themelore minimale bashkimin me familjarët e tjerë që janë strehuar më herët në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve (PIT), rreth 2 kilometra larg sallës së sporteve.

Pensionistja Selvije Nasufi, e cila gjatë ditëve të qëndrimit në Kosovë ka probleme shëndetësore thotë se ka pritur për disa orë që të strehohej ditën e premte në kamp.

Nasufi thotë për AA se në sallën e sporteve problem për ta është mospasja e një banje për t’u larë si dhe mungojnë shtretërit, pa të cilit ata tash e dy net flenë me shtroja mbi dysheme.

“Atje kemi qëndruar gjithë ditën me kalamajtë, unë u bllokova nga gjunjët, shiu po binte, o Zot ç’kemi hequr se më vjen dhe të qajë sepse kemi vuajtur dhe po vuajmë. Të paktën të na fusin në një vend më të sigurt. S’kam çfarë të them më. Çfarë të them më? Ne jemi rrugëve, jemi të pasiguruar. Hajt se po vdesim ne, po fëmijët këtu, familjet. Fëmijët e vegjël si zogj!”, thekson Nasufi, e cila dje ka qëndruar për një kohë në emergjencë nga problemet që ka me zemër, të cilat thotë t’i jenë shtuar nga shqetësimet e fundit.

Artan Hoxhaj, një qytetar i Prizrenit, i cili në mënyrë vullnetare u ka dalë në ndihmë këtij grupi, të cilëve u ka ndihmuar të barten ne sallën e sporteve, thotë se në këtë vend ka mungesë të disa nevojave bazë të jetesës.

“Këtu problemi nuk është tek salla ku po qëndrojnë këta, nuk është ftohtë, por kushtet për banim janë minimale. Janë vetëm dy banjë që shfrytëzohen shumë pak. Kanë nevojë për gjëra higjienike. Kanë nevojë për veshmbathje sidomos gjinia femërore dhe fëmijët. Sipas informatave që kemi marrë nga bashkëbisedimet me ta, ka njerëz që nuk kanë bërë banjë për pesë ditë me radhë”, thotë Hoxhaj, i cili thotë se po presin një vendim nga autoritetet komunale për t’ju bërë zgjidhje dhe për t’i dërguar në ndonjë vend tjetër ata.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, të shtunën në një konferencë për media duke folur për gjendjen aktuale të personave të strehuar në Parkun e Inovacionit dhe jashtë tij, tha se “duhen të bëhen disa hapa të mëtutjeshme dhe të ketë mbështetje më të fortë nga institucionet qendrore për ta menaxhuar dhe përmirësuar këtë gjendje”.

“Për shkak se kjo sallë nuk ka kushte elementare për strehim, pasi që mungojnë shtretërit dhe në aspektin sanitar salla nuk mund të përballojë kaq shumë njerëz, nëpërmjet institucioneve qendrore është kërkuar të gjendet një zgjidhje duke i zhvendosur ata diku tjetër sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka thënë Haskuka për të strehuarit në sallën e sporteve të shtunën.

Në dy nga hotelet më të mëdha të Prizrenit aktualisht qëndrojnë mbi 200 shtetas të tjerë të Shqipërisë dhe një pjesë tjetër nëpër shtëpi private. Numri i saktë i shqiptarëve të vendosur në Prizren nuk dihet. Ndërsa për një gjë të tillë, Haskuka u bëri thirrje që të gjithë ata që strehohen në shtëpi të ndryshme të qytetit të lajmërohen në Qendrën e Thirrjeve të Komunës, në mënyrë që të bëhet regjistrimi i tyre dhe t’u ofrohet mundësia për shërbime mjekësore apo edhe që fëmijët e tyre të fillojnë mësimin në shkollat e Prizrenit.

Tërmeti me magnitudë 6,3 ballë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor përveçse shkaktoi dhjetëra të vdekur dhe qindra të plagosur shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale.

Si pasojë e tërmetit janë shkatërruar dhe dëmtuar pallate, shtëpi, monumente kulture, objekte të institucioneve, ndërsa vendi u godit në ditët e fundit edhe nga disa tërmete të tjera.