Dekanët e Ekonomikut dhe Juridikut bëjnë thirrje: Mos u regjistroni në panik!

Me përfundimin e fazës së parë të regjistrimit nga 7 që janë gjithsej Dekanët e Fakulteteve më të kërkuara në vend i janë drejtuar me një thirrje aplikantëve.

Me përfundimin e fazës së parë të regjistrimit nga 7 që janë gjithsej Dekanët e Fakulteteve më të kërkuara në vend i janë drejtuar me një thirrje aplikantëve.

“Mos u regjistroni në panik. Ata që e kanë preferencë Fakultetin tonë do të vijnë të gjithë”, shprehet Dhori Kule, Dekan i Fakultetit të Ekonomisë.
Pas një analize të tregut të punës, Fakulteti i Ekonomisë vendosi për 1200 kuota të reja për këtë vit në mënyrë që punësimi të jetë i sigurt. Fakulteti vjen me një risi këtë vit akademik që nis me 14 tetor, shkruan Top Channel.

“Në 3 degët më të mëdha do të zhvillohen leksione dhe seminare në gjuhën angleze. Ne e vendosëm këtë, pasi studentët tanë shkojnë jashtë ndërsa të huajt që duan të vijnë tek ne nuk vijnë, pasi nuk e dinë gjuhën tonë”, shton më tej Dekani i Ekonomikut.

Dekani nënvizon faktin që Fakulteti ka kurrikula perëndimore si dhe gëzon mbështetjen e Fondit Amerikan të Zhvillimit.

“Kemi fituar 5 projekte Erasmusi. Që do thotë se studentët mund të bëjnë një semestër apo një vit në universitetet e botës”, ka thënë Dekani Kule.

Rreth 21 mijë e 500 maturantë aplikuan në 4 degët e Fakultetit të Ekonomisë.
“Tarifa është ajo që ka qenë vendosur nga Universiteti. Qeveria ka siguruar maturantët që do të vazhdojë subvencionimin e gjysmës së saj”, tha Dekani i Fakultetit.

Fakulteti i Drejtësisë në Tirane është gjithashtu i preferuar nga maturantët. 640 kuota ofron ai këtë vit.
“Lista do të zbresë deri tek numri 1000 e ca. Mos u regjistroni të kapur nga paniku, por prisni dhe përditësohuni tek portali U-Albania”, ka thënë Dekan i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha.

Për herë të parë në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë nis programi i integruar, Master në Drejtësi, që zgjat 5 vjet.
“Reforma në Drejtësi dhe efektet e saj, siç dihen tashmë nga të gjithë kanë orientuar shumë maturantë drejt shkencave juridike”, ka shtuar Dekani Hoxha.