Debatet në parlament për pandeminë, Xhafaj apel deputetëve në seancë: Kjo betejë s’ka nevojë për analiza politike, por për shkencën para të gjithave

Deputeti socialist Fatmir Xhafaj ka mbajtur fjalën e tij të parë në Parmalent ku ka përshëndetur punën e bërë deri më sot për garantimin e vaksinimit të plotë të popullatës. Ligjvënësi ka ftuar kolegët deputetë që të bëhen bashkë për përballimin e pandemisë.

“Kjo betejë besoj se nuk ka shumë nevojë për analiza politike por për shkencën parasgjithash si edhe për një menaxhim të mirë dhe efikas, andaj ajo çka duhet të bëjmë është të pranojmë çka është për t’u pranuar, të reflektojmë çka është për t’u reflektuar, të negociojmë çka është për t’u negociuar, por ama në finale të bëhemi të gjithë bashkë në përparimin e kësaj beteje”, tha ndër të tjera Xhafaj duke shtuar se: “Të paktën kjo gjë mund të jetë një pikë ku mund ti bashkojmë kontributet dhe qëndrimet tona, nëse qytetarët janë realisht të parët për cdo forcë politike të përfaqësuar në këtë sallë, nëse Shqipëria dhe qytetarët e saj janë mbi cdo gjë tjetër, mbi cdo interes partiak, elektoral apo karrige pushteti”, u shpreh deputeti socialist.

Veç të tjerash, ai ka sugjeruar edhe një analizë të thelluar lidhur me gjendjen e pandemisë në vend për t’i paraprirë rasteve të ngjashme në të ardhmen.

“Mendoj se Ministria e Shëndetësisë duhet të prezantojë në Kuvend një analizë të situates së deritanishme, problematikat e shfaqura dhe kryesorja me reflektimin për disa masa të qëndrueshme afatgjata për përballimin dhe menaxhimin e situatës në vijimësi dhe mundësit që kemi apo që duhen përforcuar për parandalimin dhe menaxhimin sa më mirë të situatave të tilla në të ardhmen, të cilat nuk urojmë kurrë që të përsëriten por nuk janë në dorën dhe dëshirën tone”, tha Xhafaj.

Ai e ka vijuar fjalën e tij me mirënjohje ndaj 16.738 qytetarëve të qarkut të Tiranës që e kanë votëbesuar më 25 prill dhe të gjithë qytetarëve të Shqipërisë që në këtë situatë ku gjendet vendi kanë zgjedhur t’i besojnë Partisë Socialiste një mandat të ri.

“Besoj fort se edhe në këtë rast, në kushtet reale ku gjendet vendi dhe situata politike aktuale, shqiptarët kanë ditur të bëjnë zgjedhjen më të mirë të mundshme, alternativën e duhur për qeverisjen e tyre. Nga ana tjetër, mbetem i vetëdijshëm se nuk ka fare vend apo kohë për eufori, por përkundrazi për më shumë maturi e përgjegjësi për ne si fitues që na takon të thellojmë më tej punën për t’ju mbajtur çdo ditë zotimeve tona”, nënvizoi Xhafaj duke shtuar se: “Pavarësisht çdo zhvillimi, personalisht e vlerësoj pozitivisht faktin që institucionet shtetërore të shëndetësisë na i kanë shpërblyer deri më tani me rezultate pozitive të gjithë besimin e mbështetjen e dhënë, që gjithë kjo betejë nga dita e parë e saj është menaxhuar me shumë efikasitet nga qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë vecanërisht.Ky është fakt dhe pavarësisht pozicioneve në këtë sallë qytetarët e këtij vendit, ata që vendosin e kanë vlerësuar dhe certifikuar edhe me votën e besimit të 25 prillit”, tha Xhafaj.

Fjala e plotë:
Kjo është fjala ime e parë në këtë lëgjistraturë ku më jepet mundësia të komunikoj me zgjedhësit nga kjo foltore reale, përfaqësuese e zërit të qytetarëve.
Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj, do dëshiroja që në krye të së gjithave t’i përcillja disa fjalë zemre me shumë përulje e respekt të gjithë atyre që më 25 prill zgjodhën me votë Partinë Socialiste për një mandat të ri qeverisës.

Besoj fort se edhe në këtë rast, në kushtet reale ku gjendet vendi dhe situata politike aktuale, shqiptarët kanë ditur të bëjnë zgjedhjen më të mirë të mundshme, alternativën e duhur për qeverisjen e tyre. Nga ana tjetër, mbetem i vetëdijshëm se nuk ka fare vend apo kohë për eufori, por përkundrazi për më shumë maturi e përgjegjësi për ne si fitues që na takon të thellojmë më tej punën për t’ju mbajtur çdo ditë zotimeve tona.

Jam i nderuar që në këtë sallë vij nga vota e besimit të 16.738 qytetarëve të qarkut të Tiranës dhe mbështetjes së ekipit që punoj me mua si dhe shumë njerëzve që besuan dhe më mbështetën në betejën elektorale të 25 prillit. Atë që konsiderohej e pamundur me renditjen në listë, qytetarët e bënë të mundur me mbështetjen e tyre me votë të lirë.

Shumë janë përpjekur ta përkufizojnë në mënyra të ndryshme, por di të them që nuk ishte ndonjë formulë magjike, por fuqia reale e votës së lirë dhe të ndershme kur njerëzit besojnë te forca e tyre, por dhe te përfaqësuesi i tyre. Andaj edhe nga kjo foltore me përunjësi dua t’u them përsëri e përsëri MIRËNJOHJE TË GJITHËVE!

Kjo përbën një vlerësim për punën time për atë çfarë përfaqësoj, çfarë kam bërë gjithë këto vite si shërbyes në politikë, por padyshim është njëherësh edhe një inkurajim i fortë dhe përgjegjësi shumë e madhe për vazhdimin e betejave të nisura të cilat duhet të shkojnë deri në fund. Ju siguroj se do t’ju qëndroj besnik deri në fund angazhimeve të mia publike elektorale, kauzave për të cilat më besuat dhe më votuat.

Në këtë fjalë të parë të kësaj legjislature të re dëshiroj gjithashtu të vlerësoj dhe përulem me shumë respekt edhe për disa kolege dhe kolegë deputetë të mandatit të kaluar që për arsye të ndryshme, të thëna apo të kuptuara, nuk do të jenë më pjesë e kësaj salle. Fjala e tyre e mençur, politike dhe profesionale, në këtë foltore, natyrisht që do të na mungojë shumë. Vasilika, Besniku, Eglantina, Ervini, Elena, Ditmiri, Musai dhe kolegë të tjerë, të këtij krahu, në pamundësi ti përmend të gjithë, të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm me dijet, fjalën dhe punën e tyre gjithë këto vite, por mbi të gjitha me integritetin, dinjitetin dhe forcën e shembullit.

Ata hynë në këtë Kuvend me vlerat e tyre dhe dolën prej tij me dinjitet duke shërbyer njëherësh edhe si modeli më i mirë i faktit se mund të hysh në politikë, të jesh pjesë e saj dhe të ruash integritetin tënd, vlerat njerëzore, morale e qytetare. Natyrisht kjo është një zgjedhje që jo të gjithë e bëjnë pasi do forcë në vetvete, respekt e dashuri për njerëzit që të besojnë, për vendin dhe familjen.

Shpresoj fort që ky të jetë modeli nga të cilët do të frymëzohen të gjithë ata kolegë të rinj që kanë hyrë rishtas në këtë sallë duke ju uruar atyre të mbeten përfaqësues të vlerave qytetare në këtë sallë që të mund të dalin prej saj faqebardhë përball qytetarëve.

Të nderuar kolegë,

Debati i sotëm padyshim që është i një rëndësie të veçantë pasi ka në fokus një ndër shumë marrëveshje të miratuara gjatë këtij viti si reagim i Qeverisë Shqiptare, i Ministrisë së Shëndetësisë dhe i strukturave të saj për garantimin e vaksinimit të popullatës.

Pavarësisht çdo zhvillimi, personalisht e vlerësoj pozitivisht faktin që institucionet shtetërore të shëndetësisë na i kanë shpërblyer deri më tani me rezultate pozitive të gjithë besimin e mbështetjen e dhënë, që gjithë kjo betejë nga dita e parë e saj është menaxhuar me shumë efikasitet nga qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë vecanërisht.Ky është fakt dhe pavarësisht pozicioneve në këtë sallë qytetarët e këtij vendit, ata që vendosin e kanë vlerësuar dhe certifikuar edhe me votën e besimit të 25 prillit.

Unë jam një prej shumicës dërrmuese në këtë vend që e ka besuar dhe mbështetur që në momentin e parë punën e palodhur dhe me shumë humanizëm të personelit shëndetësor, Grupeve të Ekspertëve, ekipet speciale të angazhuara në trajtimin mjekësor në spitalet COVID dhe vet ekipit drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë. Në tërësi, në vlerësimin tim, situatat e krijuara deri më tani u përballuan më së miri dhe jetët e njerëzve të shpëtuara janë argumenti më i fortë për ta ilustruar me fakte domethënës këtë.

Është një lajm shumë pozitiv për të gjithë garantimi në kushte të vështira i një sasie mbi 3 milion vaksina deri më tani, si rrjedhë e marrëveshjeve të realizuara nga Qeveria Shqiptare përmes kontratave me kompani të ndryshme, të cilat kanë garantojnë vaksinimin masiv të njerëzve.

Të dhënat e sjella nga Ministria e Shëndetësisë për aplikimin e më shumë se 1.7 milion doza vaksinash, tregon qartësisht se deri më tani është bërë një punë shumë e mirë për vaksinimin e popullatës, andaj sot ka një sensitet më të lartë në ndërgjegjësimin e target grupeve më të riskuar për t’u vaksinuar, si mësuesve dhe studentëve me qëllim që veprimtaria normale e vitit akademik të mos cënohet, pasi një gjë e tillë do të sillte dëmë të pariparueshme edhe në këtë aspekt.

Planifikimi i kryer nga Ministria e Shëndetësisë për mbulimin e garantimit të vaksinave për vitin 2022 është gjithashtu një hap për t’u përshëndetur dhe mbështetur nga të gjithë ne me qëllim përmbylljen e vaksinimit të të gjithë popullatës target ndaj të cilës duhet të japim mbështetjen tonë maksimale pa asnjë paragjykim dhe pozicionim politik apo social.

Padyshim në gjithë këtë proces ka pasur dhe ka probleme se luftë ishte dhe e tillë mbetet. Opozita është në të drejtën e saj dhe në shërbim të qytetarëve ti shpreh kritikat e saj ndaj procesit

dhe ne si maxhorancë, qeveria parasëgjithash, jo thjesht duhet ti dëgjojmë me vëmëndje, por edhe ti pranojmë kur ato janë konstruktive. Po kjo nuk e justifikon gjuhën e ashpër, denigruese dhe kritizere në disa raste prej jush si dhe nuk duhet tju pengoj ju si opozitë ti jepni mbështetje procesit, por ti njihni edhe meritën kundërshtarit përfshi dhe qeverisë e personalisht ministres Manastirliu që e ka menaxhuar me shumë seriozitet e përkushtim gjithë këtë betejë si dhe gjithë atyre menaxherëve dhe ekspertëve të palodhur e të riskuar në këtë betejë në terren me përballjen me shumë përgjegjshmëri e sakrifica personale në këtë luftë të vështirë plot sakrifica. Kjo ju bën nder edhe juve, por i jep edhe besueshmëri kritikave tuaja.

Kjo është nga ato beteja ku nuk duhet të ketë të majtë apo të djathtë, por politikanë të përgjegjshëm dhe të angazhuar në një kauzë të përbashkët, mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

Të nderuar kolegë!

Nëse kemi mundësinë sot që përditshmëria e jetës sonë të jetë pothuajse njësoj si para pandemisë, është për shkak të menaxhimit nga një anë, por edhe për shkak të rritjes së vaksinimit të popullatës, në të kundërt kjo do të ishte e pamundur.

Ndaj është jetike që procesi i vaksinimit duhet të ecë përpara me çdo kusht, qoftë edhe me masa shtërnguese për kategori të caktuara dhe sidomos ato që kanë komunikim të drejtpërdrejtë me publikun në shërbimet ndaj tij apo ato që janë të detyruara të jenë pjesë e punës dhe bashkëveprimit në grup. Është një gjë shumë pozitive që edhe opozita e ka mbështetur thirrjen për vaksinim ndaj dhe nga kjo seancë e përbashkët mund të kemi në fund një qëndrim të unifikuar me shprehjen e vlerësimit dhe mbështetjes ndaj të gjithë atyre që janë të angazhuar në vijën e parë të kësaj beteje, por edhe me një thirrje të përbashkët të këtij kuvendi ndaj qytetarëve për tu vaksinuar sa më shpejt të jetë e mundur.

Covid19 me format e tij të shfaqura, mbetet një e keqe që kurrësesi nuk duhet konsideruar kurrësesi e mundur. Përkundrazi. Ndaj duhet ende fokus, angazhim dhe shumë punë. Mendoj se Ministria e Shëndetësisë duhet të prezantojë në Kuvend një analizë të situates së deritanishme, problematikat e shfaqura dhe kryesorja me reflektimin për disa masa të qëndrueshme afatgjata për përballimin dhe menaxhimin e situatës në vijimësi dhe mundësit që kemi apo që duhen përforcuar për parandalimin dhe menaxhimin sa më mirë të situatave të tilla në të ardhmen, të cilat nuk urojmë kurrë që të përsëriten por nuk janë në dorën dhe dëshirën tonë.

Kjo betejë besoj se nuk ka shumë nevojë për analiza politike por për shkencën parasgjithash si edhe për një menaxhim të mirë dhe efikas, andaj ajo çka duhet të bëjmë është të pranojmë çka është për t’u pranuar, të reflektojmë çka është për t’u reflektuar, të negociojmë çka është për t’u negociuar, por ama në finale të bëhemi të gjithë bashkë në përparimin e kësaj beteje.

Të paktën kjo gjë mund të jetë një pikë ku mund ti bashkojmë kontributet dhe qëndrimet tona, nëse qytetarët janë realisht të parët për cdo forcë politike të përfaqësuar në këtë sallë, nëse Shqipëria dhe qytetarët e saj janë mbi cdo gjë tjetër, mbi cdo interes partiak, elektoral apo karrige pushteti.

Faleminderit!