Arrestimi i drejtueses së administratës së Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro, në flagrancë për korrupsion është përcjellë me debate në Parlament. Gazmend Bardhi nga opozita ishte një nga deputetët që u bë pjesë e debatit.
Gazmend Bardhi: Kërkoj dorëheqjen e ministres.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u distancua nga ngjarja
“Qëndrimi im është i prerë dhe i qartë jo vetëm për këtë ngjarje nga e cila si institucion distancohemi komplet. Është padyshim një ngjarje e rëndë organet e drejtësisë duhet të bëjnë punën e tyre, rasti duhet të hetohet deri në fund. Çdo person, çdo individ ditën që merr besimin dhe bashkë me të detyrën e lartë në shërbimin publik merr automatikisht dhe përgjegjësinë përpara ligjit, dhe përgjegjësia është individuale”, tha Manastirliu.
Për ngjarjen reagoi edhe kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla.
“Themeli i Reformës në Drejtësi është që ne të heqim dorë duke drejtuar gishtin nga njëri-tjetri. Fakti që në këtë vend policia, BKH, SPAK arrestojnë dhe ngrenë akuza ndaj funksionarëve më të lartë në këtë vend nuk është një dështim është fitorja e betejës kundër korrupsionit. Dhe hiqni dorë nga kjo historia o sekretarja e përgjithshme, ajo është në burg dhe përgjegjësitë juridike, penale, janë personale. Për mua është arritje që arrestohet një sekretarë e përgjithshme”, tha Balla.