Dalja e listës së pagave: Krim dhe Mosndëshkim!

Thelbi i këtyre ngjarjeve është konsumimi i një krimi, i cili kërkon ndëshkimin përkatës. Mosndëshkimi shndërrohet në kosto për të gjithë.

“Krim dhe Mosndëshkim” është togfjalëshi që karakterizon saktësisht një fenomen me natyrë krimi, që ka ndodhur dy herë brenda vitit 2021 në Shqipëri. Në prag të zgjedhjeve të 25 prillit doli në publik një bazë të dhënash personale të shtetasve shqiptarë, banorë votues në Tiranë, së bashku me bindjet e tyre politike dhe patronazhistin përkatës.

Në mbyllje të vitit 2021 u publikua një tjetër bazë të dhënash, tashmë me të dhëna edhe më sensitive, që lidhen me pagën e çdo të deklaruari në listëpagesat e punëdhënësve. Me pak fjalë u publikua i gjithë regjistri i pagave të punonjësve të sektorit publik e privat, përfshirë edhe ato të institucioneve të sigurisë së shtetit, ku lehtësisht identifikohet pagamarrësi dhe të informacione të tjera për të.

Në të dyja rastet qartazi kemi të bëjmë me krim të nxjerrjes së paligjshme të të dhënave, për më tepër të informacionit që konsiderohet e dhënë personale. Këto të dhëna kanë rrjedhur nga institucione shtetërore, të cilat me ligj detyrojnë individin t’i dorëzojë ato tek institucioni shtetëror. Kjo rrethanë i bën rastet edhe më të rënda sesa shkelja e detyrimeve kontraktore nga institucione private, ku individi vendos vullnetarisht t’i dorëzojë të dhënat që i kërkohen. Por, mosndëshkimi në rastin e parë duket se krijoi klimën e pandëshkueshmërisë edhe për këtë lloj krimi dhe i hapi rrugën përsëritjes së tij. Vijojmë të besojmë që dikur krimi do të hetohet dhe konkludohet për fajësinë. Por, publikimi i regjistrit të pagave pritet të ketë edhe pasoja të dykahshme në disa plane.

Publikimi i paautorizuar në mënyrë të përsëritur i të dhënave personale në përdorim të institucioneve të shtetit rrit riskun për biznesin, veçanërisht për atë pjesë që kryen transaksione me pjesën tjetër të botës. Këto ngjarje mund të cenojnë besimin tek operatorët shqiptarë, t’i ekspozojnë ato si më të paqëndrueshme dhe me mbrojtje të dobët të informacionit. Për rrjedhojë, mund të vështirësojnë arritjen e marrëveshjeve të biznesit, që përfshijnë shkëmbim të dhënash. Apo mund të shtojnë kërkesa për siguri shtesë, duke rritur automatikisht kostot financiare e administrative të këtyre transaksioneve.

Qarkullimi publik i regjistrit të pagave do të ndikojë në fuqinë negociuese si të punëdhënësit dhe të punëmarrësit në procesin e rekrutimit. Një punëkërkues do të ketë më pak hapësirë për të përdorur fuqinë individuale negociuese për pagën. Një punëmarrës po ashtu. Mund të nxiten nivelime e unifikime pagash, me ndikim në koston e pagave apo mobilitetin e punonjësve nga një punëdhënës në tjetrin. Këto dy fenomene mund të kenë ndikim pozitiv apo negativ në varësi të rrethanave. Por mund të çojnë edhe në një reduktim të ndjeshëm të potencialit të pagave nga një punëdhënës tek tjetri, me pasojë frenimin e qarkullimit dhe freskimit të punonjësve.

Nga ana tjetër, ndikim mund të pritet edhe në reduktimin e konkurrencës ndërmjet punëdhënësve përmes politikës së pagave, sidomos të atyre që janë me oferta financiare më të mira sesa tregu. Apo të nxitjes së konkurrencës së pashëndetshme ndërmjet punonjësve, për shkak të fenomenit të krahasimit me kolegun. Për rrjedhojë mund të ketë pasoja për marrëdhëniet e punës, të shtohen konfliktet ndërmjet punonjësve kolegë dhe ndërmjet punonjësit dhe eprorit, me ndikim negative në rendimentin dhe cilësinë e produktit të punës.

Qarkullimi i të dhënave mbi pagat mund të nxisë veprimtarinë analizuese dhe evidentuese të fenomeneve. Departamentet e Burimeve Njerëzore kanë një rast të mirë të ridimensionojnë politikën e pagave mbi analiza më objektive të industrive apo tregut ku veprojnë. Ndërsa në nivel më makro kjo bazë të dhënash shpalos fenomene që e vlejnë të analizohen nga institucionet përkatëse shtetërore. Me sy të lirë mund të dallohet fenomeni i deklarimit të pagave të ulëta, për të shmangur pagesat e detyrimeve fiskale (sigurime dhe tatim mbi të ardhura), apo pagesa paarsyeshmërisht të larta, të cilat mund të bartin situata të pastrimit të parave apo korrupsionit. Gjithmonë nëse e kanë vullnetin të bëjnë analiza të tilla dhe të arrijnë në përfundimet e duhura.

Në kushte normale kjo ngjarje duhet të përkthehet në rritje të kërkesës për shërbime të auditimit të sigurisë së informacionit; rritje të vëmendjes së vendimmarrësve në risqet e sigurisë së informacionit dhe të përputhshmërisë, të shoqëruara me mbështetje financiare për investimet, përmirësimet e nevojshme, si dhe forcimin e kapaciteteve në burimet njerëzore. Sektori privat nga nevoja për të ruajtur besimin e klientit dhe të partnerëve në biznes do të duhet të demonstrojë se ka vëmendje dhe ofron sigurinë e mjaftueshme dhe të përshtatshme. Sektori shtetëror do të varet nga vullneti i vendimmarrësit dhe oreksi për procedura prokurimesh.

Gjithsesi, thelbi i këtyre ngjarjeve është konsumimi i një krimi, i cili kërkon ndëshkimin përkatës. Mosndëshkimi shndërrohet në kosto për të gjithë.