Covid19/ Shënohet vdekja e parë nga në Kosovë

Pacienti ndërroi jetë mëngjesin e së dielës...

Instituti i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka bërë të ditur se është njoftuar nga Klinika Infektive se pacienti 82-vjeçar nga Dumnica e Podujevës, ka përfunduar me vdekje sot në orën 09:00 të mëngjesit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton IKSHPK “ky është rasti i parë me vdekje nga COVID 19”.

“Pacienti i lindur në vitin 1938 nga fshati Dumnicë, Komuna Podujevës është pranuar në Klinikën Infektive më 16 mars 2020 në ditën e 6 të sëmundjes me shenja të infiltrimit pulmonar dhe pneumonisë masive majtas është diagnostikuar në laboratoret e IKSHPK me SARS-CoV-2”, thuhet në njoftim.

IKSHPK ka bërë të ditur se pacienti ka patur edhe sëmundje shoqëruese kronike: kardiake dhe sëmundje kronike mushkërore (SPOK).

Në familjen e 82 vjeçarit janë të prekur me koronavirusin e ri (COVID-19) djali dhe vajza e tij.

“Rasti në fjalë është kontakt nga djali i tij dhe vajza e tij pozitive. Të gjitha kontaktet e rekomanduara për vetizolim”, përfundon njoftimi i IKSHPK-së.

Lajmin për vdekjen e babait e kanë bërë të ditur edhe familjarë të të ndjerit në rrjetet sociale, ku kanë lajmëruar se për shkak të situatës së krijuar me virusin pandemik, ceremonia mortore do të bëhet vetëm me rrethin e ngushtë familjar.

Nga data 8 shkurt deri më 21 mars 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 567 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej 31 raste kanë rezultuar pozitive, një nga të cilët vdiq sot.

Të shtunën në mesditë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti si dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës nëpërmjet një konference për media të respektojnë rekomandimet dhe urdhrat e autoriteteve shtetërore për parandalimin e përhapjes së pandemisë.