Çifti në Indi padisin djalin pasi nuk i bëri me nip

Një çift në veri të Indisë kanë paditur djalin e tyre të vetëm dhe gruan e tij pasi “nuk u dhanë një nip” pas gjashtë vitesh martesë.

Sanjeev dhe Sadhana Prasad, 61 dhe 57 vjeç, thanë se i kanë shpenzuar të gjitha kursimet e tyre për të rritur të birin. Ata kanë paguar trajnimin e tij për t’u bërë pilot, si dhe dasmën luksoze.

Prindërit kërkojnë dëmshpërblim me vlerë prej rreth 650.000 dollarësh, nëse çifti nuk lind një nip brenda një viti.

Djali dhe gruaja e tij nuk kanë komentuar.

Kjo padi e pazakontë është ngritur me pretekstin se sjellja e djalit ka ndikuar në shëndetin mendor të prindërve.

Prasad tha se ka shpenzuar të gjitha kursimet e tij për të birin, duke e dërguar në SHBA në vitin 2006 për trajnimin e pilotit me një kosto prej 65,000 dollarësh.

Djali u kthye në Indi në vitin 2007, por humbi punën dhe familja e tij duhej ta mbështeste financiarisht për më shumë se dy vjet, raporton Times of India.

Shrey Sagar, 35 vjeç, më në fund filloi punë si pilot. Prindërit e tij i bënë të mundur martesën me Shubhangi Sinha, tani 31 vjeç, në vitin 2016, me shpresën se do të kishin një “nip për të luajtur” kur të dilnin në pension.

Prindërit thonë se kanë paguar për dasmën e zhvilluar në një hotel me pesë yje, për një makinë luksoze me vlerë prej 80 mijë dollarësh dhe për muajin e mjaltit jashtë vendit.

“Djali im është i martuar prej gjashtë vitesh, por ata ende nuk po planifikojnë të bëjnë fëmijë,” tha  Prasad.

“Të paktën nëse kemi një nip me të cilin të kalojmë kohën, dhimbja jonë do të bëhet e durueshme”, shtoi ai.

Avokati i çiftit, AK Srivastava, tha për The National se çifti i ka kërkuar paratë “për sjellje abuzive që dëmton shëndetin mendor”.

“Është ëndërr e çdo prindi të bëhet gjysh. Ata kishin vite që prisnin të bëheshin gjyshër”, tha avokati.