Çfarë është identiteti kombëtar ?

Nga Redi Shehu

Afrimi i festave të Nëntorit, na sjell në mendje pavarësinë dhe çlirimin. Të dyja të lidhura me kombin tonë, e për rrjedhojë edhe me identitetin tonë. Shpesh ne dëgjojmë rreth “identitetit kombëtar”, madje e përdorim atë shumë, por pak dinë për kuptimin e vërtetë të tij. Pse ne ndihemi pjesë e një kombi dhe çfarë janë kombet me të cilat ne identifikohemi? Përse shpesh përdorim termin “shtet” dhe ku është dallimi mes tij dhe kombit ?

Identiteti kombëtar ka të bëjë me  ndjesinë e përkatësisë së një individi brenda një kombi apo shteti kombëtar. Kjo ndjesi e përkatësisë lidhet direkt me elementët themelorë që e përbëjnë një komb.  Ato janë: Gjuha – Etnia – Historia –Territori – Feja – Kultura

Pra, kur një person gëzon identitet kombëtar, ai gëzon ndjenjën e përkatësisë së nja race, feje, territori, gjuhe, historie të përbashkët dhe kulture të përbashkët. Ndjenjat që ai ndan me të njëjtën kategori njerëzish e bën atë pjesë të një përkatësie që në këtë rat quhet përkatësi kombëtare. Është pikërisht kjo përkatësi kombëtare e cila e bën individin të jetë “I dallueshëm” në raport me individë të përkatësive të tjera. Ose siç Yoonmi Lee[1] thotë, një gjendje psikologjike e të qenurit  i ndërgjegjshëm për dallimin me të tjerët. Të jesh i tillë sipas Lee do të thotë të pranosh ndryshimin mes “ne” dhe “ata” dhe mbi të gjitha ta ndjesh këtë ndryshim.

Identiteti kombëtar përbehet nga:

  • Një të kuptuar të përbashkët për realitetin dhe besime të përbashkëta
  • Duhet të jetë i shtrirë në histori
  • Duhet të ketë një traditë të përbashkët
  • Duhet të ketë një kulturë të dallueshme nga të tjerat

Një nga njerëzit  i cili mbahet si  përcaktuesi më i mirë i termit  komb është Benedict Anderson me konceptin e tij të kombit si “komunitete imagjinare”[2].  Ai thotë se janë imagjinare sepse breza të tërë imagjinojnë veten në një komunitet të përbashkët përgjatë historisë edhe pse ata nuk janë takuar kurrë me njëri-tjetrin.

Ndërsa mendimtarë si Martin, De Cillia, Liebhart, Wodak[3] etj. theksojnë se Gjuha dhe Diskursi i saj  janë elementët thelbësor të të kombit, sepse janë pikërisht këto mekanizma që i japin atë “të dallueshmen” në raport me komunitetet e tjera kombëtare. Për më tepër theksojnë ata gjuha është instrumenti kyç  për ndërtimin e konstruksionit social të “komuniteteve imagjinare” sepse gjuha depërton në të shkuarën dhe në të ardhmen e historisë duke qenë elementi lidhës mes brezave të të njëjtit komb. Këtu Anderson thekson rolin e shtypshkrimit në forcimin e këtyre komuniteteve imagjinare.

Në  këtë kuptim identiteti kombëtar është produkt i diskursit i gjuhës. Nëse konsiderojmë se baza e identitetit është kujtesa dhe narrativa, atëherë është pikërisht gjuha elementi që i mban gjallë këto të dyja, Pa gjuhën e folur as kujtesa dhe as aftësia për të treguar kujtimet nuk do të ishin të mundura. Pra, më shumë se sa konstruksione sociale të lidhura me gjakun, kombet janë më shumë të lidhura me gjuhën që i përshkon ato, sepse është pikërisht fuqia e gjuhës e cila mund të ndërtojë, transformojë apo edhe t’i shkatërrojë kombet.

 Dallimet mes kombit dhe shtetit:

 

Shteti dallon nga kombi se përbëhet nga: Territori – Popullsia – Qeverisja – Sovraniteti. Nëse i heqim njërin nga këto elemente, atëherë shteti pushon së qëni shtet.  Ndërkohë që Kombi është një komunitet njerëzish që gëzojnë një ndërgjegje dhe sens të përbashkët .  Kombi ka të përbashkët : Gjuhën – Etninë – Historinë – Territorin – Fenë – Kulturën .Të gjitha këto janë të rëndësishme për një komb por në të njëjtën kohë janë në ndryshim të vazhdueshëm.

Shteti është strukturë politiko –administrative e mandatuar për të siguruar prosperitet, siguri për shtetasit e vet. Ndërsa kombi është nocion që përmblidhet tek bashkimi emotiv dhe shpirtëror i njerëzve të vet dhe ndryshe nga shteti që merret me veprime të jashtme, kombi është ndërgjegje e brendshme. Shteti e ka të domosdoshme ekzistencën e një territori të përcaktuar, sepse shteti në vetvete është një njësi territoriale. Ndërsa për kombin territori nuk është përcaktues. Kombi mund të mbijetojë edhe pa territor, ndërsa shteti jo.

Një shtet e ka të panegociueshëm sovranitetin, ndërkohë që një komb  mund të jetojë edhe pa sovranitet. Shtetit po i hoqe sovranitetin ai  pushon së ekzistuari si shtet. Ndërkohë që për kombin thelbësore është vetëdija dhe uniteti emocional  që përmblidhet në, gjuhën, racën, fenë, kulturën dhe historinë të cilat mund të mbijetojnë edhe pa territor. Rastet kur shtete pushtohen nga të huajt apo edhe kolonizatorët, kanë treguar rënien e një shteti por  jo rënien e një kombi.

Shtetit i duhet medoemos bashkimi mes kombit dhe sovranitetit.

Shteti mund të jetë më i vogël se kombi. Shteti ndodhet brenda një territori të përcaktuar dhe fiks. Ndërsa kombi mund të jetë më i madh se shteti. Kombi mund të shtrihet përtej kufijve shtetërore. Rasti i kombit shqiptar i ndarë në pesë shtete, apo francëzëve që shtrihen në Belgjike, Zvicër, Itali etj.  Një shtet mund të përmbajë brenda vetes më shumë se një komb. Shtetet moderne sot janë shumëkombëshe dhe për rrjedhojë multikulturore. SH.B.A, Angli, Francë, Gjermani etj.Në përgjithësi pjesa më e madhe e shteteve moderne janë shumëkombëshe. Zvicra p.sh.

Shtetet mund të bien kombet jetojnë. Rasti i Gjemanisë, Japonisë pas LDB dhe shteteve të tjera pas luftërave shkatërruese. Një komb mund të jetë njëkohësisht në dy a më shumë shtete. Rasti i Shqipërisë dhe Kosovës, Rasti i  Gjermanive Lindore dhe Perëndimore etj. Shteti ruan unitetin e vet territorial përmes përdorimit të forcës së ligjit dhe forcës së armëve. Ndërkohë që një gjë e tillë nuk i duhet kombit,sepse ai është një bashkësi shpirtërore njerëzish që i bashkon jo përdorimi i forcës, por vetëdija e të njëjtës etni, gjuhë, kulturë dhe histori.

 

[1] Lee.Y, :”Modern Education, Textbooks, and the Image of the Nation: Politics and Modernization and Nationalism”

[2]  Anderson, B. (1983). “Imagined communities: Reflections on the origin and spread of nationalism”. London, UK: Verso

Editions.

[3] Wodak, R., De Cillia, R., Reisigl, M., & Liebhart, K. (1999). “The discursive construction of national identity”. Edinburgh,

United Kingdom: Edinburgh University Press.