Censi i Popullsisë dhe Banesave nis më 18 shtator, Rama: Nismë shumë e rëndësishme, të bëhet sipas standardeve europiane

Censi i Popullsisë dhe Banesave do të nisë më 18 shtator.

Kryeministri Rama i pranishëm në konferencën hapëse për Censin deklaroi se kjo është një nismë shumë e rëndësishme statistikore për të lexuar të sotmen dhe zhvilluar të ardhmen e vendit.

“Nismë shumë e rëndësishme e cila do ishte e pamundur pa ndihmën dhe mbështetjen e partnerëve. Jam këtu me ambasadorin Luigi Soreca i cili me rikthimin në Shqipëri për pak muaj për arsye të procedurave në Bruksel, meriton titullin legjendar.

Do jetë një ogur i mirë ky prezantim i Luigit këtu edhe për suksesin e një nisme të jashtëzakonshme për nga rëndësia, përmasa dhe vështirësia për tu realizuar me sukses.

Më 8 mars të 1911 Ismail Qemali nga Stambolli ka dhënë një intervistë ku i prezanton publikut francez një copë toke ekzotike, me emrin Shqipëri. Aty ai thotë se Shqipëria është e ndarë në veriore dhe jugore, dhe nënvizon se të gjithë pavarësisht fesë janë të bashkuar dhe ndajmë të njëjtat zakone. Por ajo që Ismail Qemali nuk e thotë, ishte sa shqiptarë ishin në atë territor. Realizimi i një Censi u shndërrua në nevojë urgjente.

Sot besoj që janë pjekur kushtet që të nisim një proces me kaq rendësi dhe ta bëjmë sipas standardeve europiane. Është një ushtrim shumë i vështirë se duhet trokitur derë më derë për të mbledhur sipas planit të përpiluar nga Instat për gjashtë javë të gjitha të dhënat të cilat janë një nevojë absolute për shumë arsye.

Pikësëpari për të identifikuar realisht, konkretisht sa shqiptarë, sa qytetarë jetojnë në këtë vend sot dhe po ashtu sa është numri i pasurive të tyre të patundshme.

Thëm që janë pjekur kushtet se janë dy faktorë: Faktori i parë janë partnerët, kemi partnerët francezë, zviceranë, gjermanë, të gjithë të njohur për saktësinë. Dhe pa tjetër me mbështetjen e Bashkimit Eurpian me një fond të konsiderueshëm. 55% është vendosur në dispozicion nga qeveria shqiptare dhe pjesa tjetër është vendosur nga këtë partner.

Faktori tjetër është teknologjia e lartë, e cila nga jep ndihë shumë të rëndësishme për të përdorur atë që përdoret në realitete më të zhvilluara si mjet që garanton integritetin e shifrave në kohë reale.

Instat ka një eksperiencë të padyshimtë institucionale dhe një vijueshmëri profesionale që është garanci në këtë proces. INSTAT sot është tërësisht i çliruar nga politika. Nuk merret më me qoka politike dhe as nuk përgatit limonta me rritje dyshifrore të Shqipërisë me zhvillimin më të shpejtë në botë diku aty pak hapa prapa Kinës dhe as nuk bëhet shkak që Shqipëria të fshikullohet për statistika të pabesueshme siç ndodhte në të shkuarën”.

Kreu i qeverisë u ka kërkuar qytetarëve që të bashkëpunojnë me armatën e INSTAT për t’u dhënë atyre të dhënat sipas pyetësorit të ndërtuar në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtar.

“Është e rëndësishme që qytetarët shqiptarë të mobilizohen dhe të bëjnë detyrën duke dhënë të dhënat për qëndrimin e tyre në Shqipëri dhe banesave të tyre.

Mirëpritja e armatës së INSTAT dhe 10 minuta kohë për të dhënë këto të dhëna, sipas pyetësorit të ndërtuar në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtar dhe standardet më të mira ndërkombëtare, është një detyrim patriotik”.

Ky është Censi i 12 i popullsisë, i cili vjen 100 vjet pas censit të parë zhvilluar në vitin 1923.