Breshëri plumbash në rrugën nacionale në Kosovë, vritet 48-vjeçari në atentat

Një ngajrje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Kosovë, ku një 48-vjeçar është vrarë brenda automjetit të tij në aksin rrugor Ferizaj – Kaçanik.

Policia e Kosovës bën me dije se persona të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri plumbash ndaj automjetit të 48-vjeçarit, duke e lënë të vdekur në vend.

Pas ngjarjes, policia ka mundur të gjejë makinën e përdorët nga autorët, e cila është djegur në afërsi të fshatit Soponicë, jo shumë larg vendit të ngjarjes.

“Me datën 23.01.2023 rreth orës 23:50 policia e stacionit në Kaçanik ka pranuar një informacion se në rrugën magjistrale Ferizaj–Kaçanik, në Kaçanik të Vjetër një automjet i udhëtarëve ishte jashtë rrugës. Policia e stacionit në Kaçanik menjëherë i ka marrë masat e nevojshme, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe policët kanë vërejtur se një person në ulësen e parë të shoferit dyshohej se ishte pa shenja jete. Janë njoftuar ekipet mjekësore të cilët kanë konstatuar se personi është pa shenja jete”.

Nga hetimet e para, ekzaminimit të vendit të ngjarjes dyshohet se personi/persona të panjohur në Kaçanik të Vjetër nga afërsia kanë qëlluar breshëri plumbash mbi automjetin dhe shoferin e më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

Jo larg vendit të ngjarjes në fshatin Soponicë të Kaçanikut është gjetur edhe një automjet tjetër i udhëtarëve i përfshirë nga flaka , ku ekziston dyshimi se personat e dyshuar pasi e kanë kryer vrasjen në Kaçanik të Vjetër i kanë vënë flakën automjetit dhe janë larguar”, njofton policia e Kosovës.