Borrell në takim trepalësh me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq në Bruksel

Në Bruksel ka nisur takimi trepalësh midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe shefit të Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe të dërguarit special për dialogun, Miroslav Lajçak, transmeton Anadolu.

Borrell, i cili publikoi foto nga takimi trepalësh në rrjetet sociale, tha se pret që palët të kenë “qasje konstruktive” ndaj propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Mirëprita në Bruksel kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq në takimin e nivelit të lartë të dialogut Prishtinë-Beograd. Në agjendë është propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve. Shpresoj që të dyja palët të kenë një qasje konstruktive”, shkroi ai.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq paraprakisht kanë zhvilluar takime të ndara me Borrell dhe Lajçak në Bruksel.

Pas takimit trepalësh, pritet që Borrell të prononcohet për media lidhur me rezultatet e takimit.

Plani evropian i njohur edhe si “propozimi franko-gjerman”, i përkrahur edhe nga SHBA-ja, iu prezantua Kosovës dhe Serbisë në fund të verës të vitit 2022.

Pala kosovare në parim është pajtuar me planin evropian, përpos kërkesës për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjë për të cilën kryeministri Kurti ka theksuar disa kushte, përfshirë atë që ai duhet të jetë në korniza të Kushtetutës së Kosovës dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive.