Bizneseve u shkon shkresa e tatimeve: Deklaroni pagat reale

Tatimet u kanë dërguar së fundmi subjeteve një shkresë, ku u kërkojnë që të bëjnë deklarimin real të pagave. Shkresa është e njëjtë për të gjithë dhe u ka vajtur edhe subjekteve që realisht janë korrektë më pagat.

Në letrën zyrtare thuhet: “Ju drejtohemi me anë të kësaj letre, pasi nga kontrollet e ushtruara nga administrate tatimore në subjekte qe ushtrojne te njejtin aktivitet me Ju janë vënë re parregullsi dhe mospërputhje të dukshme në deklarimin e pagave. Rikujtojmë se, deklarimi i pavërtetë i pagës përbën kundravajtje administrative dhe dënohet me gjobë sipas Nenit 119 të Ligjit 9920/2008, “Për Procedurat tatimore në RSH”, i ndryshuar. Deklarimi i pavërtetë përbën në këtë rast edhe një dëm të drejtëpërdrejtë ndaj punonjësve tuaj, duke u cënuar atyre të drejtën e përfitimit të merituar të pensionit, si edhe ndaj të ardhurave publike që burojnë nga sistemi i kontributeve shoqërore. Ju drejtohemi me kërkesën e rishikimit të pagave të deklaruara dhe me shpresën që Ju do deklaroni pagat reale të punonjësve tuaj në listëpagesat e muajit Korrik 2022, për të mos u përfshirë në grupin e tatimpaguesve që evidentohen me risk dhe si të tillë dhe do jenë objekt kontrolli nga administrate tatimore”.

Më herët, tatimet njoftuan se do të zgjeronin kontrollet për informalitetin e pagave, pasi sipas analizave specifike të kryera nga Administrata Tatimore, bazuar në vetëdeklarimin e tatimpaguesve, rezulton se për një numër të lartë punëmarrësish në shumë sekorë është deklaruar paga minimale. Githashtu edhe për një pjesë tjetër të punësmarrësve pagat e deklaruara janë ndjeshëm më të ulëta sesa mesatarja e tregut për këto aktivitete.

Krahas 2 sektorëve të vlerësuar me risk më parë ai i ndërtimit dhe tregtisë, tatimet evidentuan së fundmi me risk për nëndeklarimin e pagave edhe 2 kategori të tjera, konkretisht Sektorin e Mediave dhe Komunikimit dhe Sektorin e Institucioneve të Arsimit privat.

Administrata Tatimore njoftoi se do të vijojë kontrollet nëpërmjet zbatimit të planit sektorial për kontrollin e informalitetit të pagave, faza II, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Sipas INSTAT, në fund të tremujorit të parë të këtij viti, 21% e të punësuarve m apgë gjithsej merrnin 30 mijë lekë, që është dhe paga minimale zyrtare, ndërsa 23.3% nga 30-40 mijë lekë dhe 13.6% nga 40-50 mijë lekë.

Në total, gati 60% e të punësuarve në vend marrin më pak se 50 mijë lekë bruto në muaj.

Një listë e pagave që rodhi disa muaj më parë nxorri në dukje faktin që shumë profesione, për të cilat realisht tregu paguan më shumë merrnin zyrtarisht paga 30 apo 40 mijë lekë.