“Bizneset e mëdha duhet seriozisht të mendojnë për të investuar në vetë-prodhim të energjisë, pa pretenduar që të bëhen prodhues për të gjithë sistemin elektro-energjitik shqiptar”.
Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me importues dhe eksportues të mallrave.
Për situatën energjetike, ai tha se gjërat po bëhet çdo ditë edhe më keq.
“Gjërat janë çdo ditë dhe më keq në pasqyrën e përditshme të furnizimit me energji. Aq e vërtetë është kjo sa të gjitha vendet po gjenden në një situatë krejt të paparashikuar të rritjes së çmimeve të energjisë. Problemi themelor nuk është rritja e çmimit, por mungesa e energjisë, që të dalësh në treg dhe mos ta gjesh. Ne kemi marrë përsipër diçka për të mbajtur një frymëmarrje normale për një kohë të vështirë për të gjithë, mos-rritjen e çmimit të energjisë për të gjitha familjet”, tha Rama.
Kryeministri tha se ‘Shqipëria ka një cilësi mielli që plotëson kushtet për eksport’ dhe i cilësoi pa bazë pretendimet se në vend prodhohet bukë e një cilësie të dobët.
Rama foli edhe për importin e grurit ku tha se ‘hapja e kanalit me Serbinë nuk është varësi siç është interpretuar’.
Sipas tij për shkak të marrëveshjes ‘Open Balkan’, Serbia lejon eksportin në Shqipëri dhe RMV.
Për rritjen e çmimeve të produkteve bazë, Rama tha se kjo vjen për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.
Këto dy vende tha ai plotësojnë një pjesë të mirë të nevojave botërore për agrumet dhe vajin.
Nga ana tjetër, Rama tha se pretendimet se në Shqipëri ka çmime më të larta në vend nuk qëndron.
Për ta ilustruar këtë ai iu referua të huajve që vijnë në vend për turizëm, të cilët i konsiderojnë çmimet të ulëta.
“Këtu është më shtrenjtë se në çdo vend të botës do ta dëgjojnë në çdo kohë. jo vetëm në luftë, por edhe në kohë paqeje”, tha ai.