“Bisedimet Turqi-Greqi u zhvilluan në atmosferë pozitive”

Kryediplomati turk tha se bisedimet e ardhshme do të zhvillohen në Greqi dhe data e tyre do të shpallet më vonë

Bisedimet midis Turqisë dhe Greqisë, të cilat rifilluan të hënën pas pesë vitesh ndërprerjeje, u zhvilluan në një atmosferë shumë pozitive, tha ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).

Rinisja e bisedimeve eksploruese, siç quheshin më parë, apo bisedimeve konsultative me emrin e tanishëm, ishte e rëndësishme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, tha Çavuşoğlu në një konferencë shtypi me homologun e tij irlandez Simon Coveney në kryeqytetin turk Ankara.

Çavuşoğlu tha se bisedimet e ardhshme do të zhvillohen në Greqi dhe data e tyre do të shpallet më vonë.

“Konsultimi për mënyrën e zgjidhjes së këtyre problemeve do të jetë i dobishëm për të dy fqinjët për të ulur tensionin të paktën tani për tani dhe ndoshta për të gjetur zgjidhje të përhershme për këto probleme në të ardhmen”, theksoi kryediplomati i Turqisë.

Bisedimet eksploruese midis Turqisë dhe Greqisë, që synonin për të gjetur zgjidhje të drejta për problemet në Egje, filluan në vitin 2002.

Pas raundit të 60-të të bisedimeve në mars të vitit 2016, Athina pezulloi takimet.

Bisedimet dypalëshe vazhduan në formën e konsultave politike, por nuk u shndërruan në kornizën eksploruese.

Në lidhje me marrëdhëniet me Irlandën, Çavuşoğlu tha se kanë rënë dakord për kontakte të rregullta në të gjitha nivelet dhe se ai do ta vizitojë Irlandën “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Duke deklaruar se vizita e fundit e nivelit presidencial nga Irlanda në Turqi ishte në vitin 2010, ai tha se presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan mund të realizojë një vizitë në Irlandë.

Çavuşoğlu nënvizoi marrëdhëniet e rrënjosura thellë midis dy vendeve dhe tha se ato synojnë ta çojnë vëllimin e tregtisë dypalëshe në 3 miliardë dollarë, nga 1,5 miliard dollarë sa ishte vitin e kaluar.

Ai gjithashtu vlerësoi mbështetjen e Irlandës për procesin e pranimit të Turqisë në BE që nga fillimi.