Berisha: 14 maji është dita e kurorëzimit të plotë të pluralizmit politik

Ish-kryeministri Sali Berisha në mbyllje të fushatës zgjedhore është shprehur se 14 maji është dita e kurorëzimit të plotë të pluralizmit politik.

Në fjalën e tij theksoi se kurora e fushatës ishte Tirana, por xhevahiret në këtë kurorë ishin fushatat e Elbasanit, Durrësit, Shkodrës, Kavajës, Korçës, Lushnjes, Gjirokastrës, Sarandës.

Berisha po ashtu shprehu mirënjohje për të gjithë qytetarët që morën pjesë në takimet që ka zhvilluar këto ditë.

“Në këtë fushatë, në rrugët dhe sheshet, qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, në mendjen dhe zemrat e qytetarëve u përballën dy alternativa. U përball alternativa e njerëzve të lirë, alternativa e pluralizmit, alternativa e dinjitetit, e të ardhmes së shqiptarëve, alternativa e interesave individuale dhe kombëtare të shqiptarëve me alternativën e pushtetit në duart e një njeriu, me alternativën e monizmit të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë, me alternativën e bazuar në terrin dhe mafien, me alternativën që u krijoi shqiptarëve dramën më të madhe me shpopullimin e vendit. Një alternativë që varfëroi shqiptarët në mënyrën më të pamëshirshme dhe i largoi nga vendi i tyre.
Vij sot për të shprehur mirënjohjen të pakufishme atyre qindra mijëra qytetarëve me të cilët u takova në sallat, sheshet dhe rrugët e Shqipërisë, për mbështetjen e madhe, për epërsinë totale morale që vendosëm në këtë fushatë ndaj krahut obskur, krahut monist. Në kushtet më të pabarabarta që mund të zhvillohej një fushatë, epërsinë më të madhe e pati koalicioni ynë ‘Bashkë Fitojmë’.

Fushata ishte mbi të gjitha një fushatë për qytetarin, një fushatë në të cilën qeveritarët tanë të ardhshëm vendorë paraqitën para qytetarëve programet më të mira për problematikat e mëdha të krijuara këto vite të qeverisjes shumë, shumë problematike të Rilindjes.

Në këtë kontekst, ishte një festival do të thosha, programesh, vlerash, optimizmi, që qarkoi të gjithë vendin me sukses të plotë. Ndaj dhe kam vetëm mirënjohje të pakufishme ndaj qytetarëve, mirënjohje të pakufishme ndaj kandidatëve tanë për frymën qytetarë që përcollën në këtë fushatë, krahasuar me kandidatët e territ, e valixheve me euro krimi, të cilët nuk guxuan kurrë njësoj si kryetari i tyre të paraqiten në debate televizive apo sheshe para qytetarëve për të debatuar për alternativën dhe bilancet.

Kurora e fushatës ishte Tirana, por xhevahiret në këtë kurorë ishin fushatat e Elbasanit, Durrësit, Shkodrës, Kavajës, Korçës, Lushnjes, Gjirokastrës, Sarandës. Pra, nuk mund të veçosh. Nuk kam gjetur ndonjëherë qytetarë më të kënaqur nga alternativat e paraqitura se në këtë fushatë. 14 maji, kjo është dita e kurorëzimit të plotë të pluralizmit politik në Shqipëri, e triumfit të ndryshimit dhe të kandidatëve tanë.”- tha ai.