BE përsërit thirrjen për vetëpërmbajtje në Hong Kong

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, në një konferencë të përditshme për shtyp tha se palët duhet të tregojnë përpjekje për uljen e tensionit

Bashkimi Evropian (BE) ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje lidhur me protestat që vazhdojnë në qendrën e qytetit dhe në kampuset e universitetit në rajonin autonom të Kinës, Hong Kong, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, në një konferencë të përditshme për shtyp tha se palët duhet të tregojnë përpjekje për uljen e tensionit.

“Përsërisim thirrjen tonë ndaj të gjitha palëve për vetëpërmbajtje”, theksoi Kocijançiç duke i bërë thirrje edhe autoriteteve të sigurisë që të tregojnë maturi.

Më tej Kocijançiç tha se po ndjekin nga afër zhvillimet dhe ka shtuar se duhet të respektohet e drejta e protestuesve për lirinë e shprehjes dhe të marshimit.

Në protestat që filluan në muajin qershor në Hong Kong kundër projektligjit që lejon ekstradimet në Kinë, janë rritur në javët e fundit ngjarjet e dhunshme mes protestuesve dhe policisë.

Sipas të dhënave zyrtare, në protestat të cilat vazhdojnë që nga qershori e deri më tani janë arrestuar mbi 4.000 protestues.