Bashkimi ONE-Albtelecom do të sjellë shkurtimin e deri 140 vendeve të punës në të dy kompanitë

Bashkimi mes ONE dhe Albtelecom pritet të sjellë shkurtimin e rreth 140 vendeve të punës në të dy kompanitë.

Sipas marrëveshjes së bashkimit me përthithje, në datën e bashkimit mes dy kompanive numri i punonjësve do të reduktohet për një numër deri në 80 punonjësish të Albtelecom dhe 60 punonjësish të One Telecommunications.

Megjithatë, marrëveshja parashikon se shifrat e mësipërme mund të pësojnë modifikime të mëtejshme, çka nuk përjashton që numri i vendeve të shkurtuara të punës pas finalizimit të bashkimit të jetë edhe më i lartë se shifrat e mësipërme.

Sipas të dhënave të publikuara në pasqyrat financiare të dy kompanive, në fund të vitit 2021 Albtelecom kishte gjithsej 724 punonjës me kohë të plotë, ndërsa ONE kishte 421 punonjës.

Mbi këto shifra, pritet që nga bashkimi numri i punonjësve të Albtelecom të shkurtohet me 11%, ndërsa numri i punonjësve të ONE të preket në një masë më të madhe, me 14%. Përqindja më e vogël e shkurtimeve në Albtelecom mund të shpjegohet kryesisht me faktin që kompania ishte e vetmja që ofronte shërbime të komunikimit fiks, ndaj në këto struktura nuk do të ketë dublime direkte pozicionesh për shkak të bashkimit.

Për pjesën tjetër të punonjësve të Albtelecom, nga data e bashkimit të gjitha të drejtat dhe detyrimet e lidhura me marrëdhënien e punës do të transferohen te kompania ONE dhe mbështetur në shifrat e fundit të deklaruara, kompania do të ketë një numër të përgjithshëm prej rreth 1005 punonjësish.

Qysh në muajin maj të këtij viti, blerësit hungarezë patën shpallur edhe grupin menaxhues të kompanisë ONE, pas përfundimit të bashkimit me Albtelecom. Pozicioni i Drejtorit të Përgjithshëm do të vijojë të mbahet nga CEO aktual i ONE, Emil Georgakiev, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Albtelecom, Ervin Shpori, pas bashkimit do të marrë detyrën e Drejtorit të Departamentit Ligjor.

Bashkimi përfundimtar ligjor mes ONE dhe Albtelecom pritet të finalizohet në fillim të vitit të ardhshëm, ndërsa qysh prej datës 1 janar 2023 Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka autorizuar transferimin e të gjitha të drejtave dhe detyrimeve që rrjedhin nga autorizimet individuale dhe të përgjithshme të Albtelecom tek kompania One Telecommunications.

Procesi i bashkimit do të sjellë, veç të tjerash, edhe përfitimin e një pjese të aksioneve të shoqërisë ONE Telecommunications tek qeveria shqiptare, duke trashëguar kuotat e zotëruara në Albtelecom. Aktualisht, qeveria shqiptare zotëron 16.25% të aksioneve në Albtelecom, nga të cilat 13.78% nëpërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe 2.47% nëpërmjet Postës Shqiptare. Pas bashkimit, pjesa e mbajtur nga qeveria shqiptare do të ulet në 3%, nga të cilat Ministria e Financave dhe Ekonomisë 2.545% dhe Posta Shqiptare 0.455%.

Aksioner dominues në shoqërinë ONE Telecommunications pas bashkimit do të ngelet kompania holding e regjistruar në Bullgari, Albania Telecom Invest (ATI), me 94.116% të aksioneve. ATI kontrollohet në mënyrë të tërthortë nga grupi privat hungarez 4iG, nëpërmjet shoqërisë Antenna Hungaria, joint venture me qeverinë hungareze. /E.Shehu