Nga Redi Shehu
Një fitore e Partisë Socialiste në zgjedhjet e14 Majit ishte e pritshme. Ajo që nuk pritej ishte dërrmimi i aleancës “Bashkë Fitojmë” e udhëhequr nga Sali Berisha, si dhe Partisë Demoratike zyrtare të vulës. Rezultati i zgjedhjeve vendore flet për 54 bashki nga 61 në rang vendi të fituara nga PS dhe vetem 7 prej tyre të fituara nga opozita. Nëse i referohemi garës për këshillat bashkiakë, humbja e opozitës është tërësisht dëshpëruese. Në këto zgjedhje u humbën bastionet historike të Partisë Demokratike si Shkodra, Tropoja, Kukesi, Kamza, qytete të cilat shijen politike e kishin pasur vetem blu. Në Shkodër, për here të parë pas 32 vitesh, që nga koha e rënies së diktaturës, me një distance prej 12 mijë votash, Partia Socialiste fiton duke i hapur rruge menaxhimit të qytetit nga kandidati i saj. Ky ndryshim politik i ndodhur me 14 Maj, nuk qe thjesht një fitore e zakonshme politike, ishte praktikisht prishje e thurjes kapilare të demokratëve filluar që me braktisjen e zgjedhjeve vendore të 2019-tës. Një shpërbërje e rrjetit politik blu, pasojat e të cilit sa vijnë e thellohen. Që nga viti 2017 e këtej, degradimi i Partisë Demokratike dukej se nuk kishte të ndalur, për të ardhur në fazën e avancuar të dekadencës së saj në periudhën 2021-2022 e cila lidhet veçanërisht vetëm më nje emer, atë të Berishës. Ndërsa tani në 2023-shin pas zgjedhjeve lokale, Partia Demokratike rrezikon seriozisht të kalojë në një vdekje klinike politike pa kthim.
Si pasojë e instrumentalizimit të partisë dhe demokratëve për qëllime në thelb jo politike, sot partitë demokratike dhe ndjekësit e tyre ndodhen ekzaktësisht diku mes kurrkundit dhe asgjësë. Kurrkund sepse drejtimi që do të marrin, sipas deklaratave të fundit të liderëve të tyre, është tërësisht në drejtim të paditur, dhe ndodhet diku mes asgjësë në kuptimin e substancës politike që ato përçojnë. Sot, partitë demokratike nuk të thonë asgjë për pjesën më të madhe të elektoratit shqiptar, i përbërë nga skalionet e betonizuara të PS dhe atyre 250 mije të djathtëve që refuzuan të bëhen pjesë e vënies në skenë të dy partive demokratike. Për më tepër aleanca e panatyrshme mes Berishës dhe Metës, pas përgjigjes elektorale të 14 Majit, u transformua në sloganin post elektoral “Bashkë Firojmë”. Fakti që ata së bashku firojnë, dhe kjo nuk është hera e parë, mjafton të kujtojmë mandatin 2009-2013, lidhet me idenë se të dy si Berisha dhe Meta janë në antikohën e tyre politike e cila sa më shumë të zgjasë, aq më absurditet politik do prodhojë. Ata kanë kohë që kanë arritur në ezaurimin maksimal të tyrin, dhe si pasojë e shterrimit të ideve, metodave dhe moralit, ata janë kthyer në përsëritës tautologjik të vetvetes, thënë thjesht, në një boomerang elektoral.
Duke parë rezultatet e zgjedhjeve vendore, një gjë del krejt qartë, se partitë demokratikë nuk u mundën nga Partia Socialiste, ata u mundën nga të djathtët. Të majtët kanë marrë pothuaj aq vota sa kanë marrë në 2021, pra e majta ka qëndruar pa rritje domethënëse në kuotat e veta. Braktisja ka qene djathtas, një braktisje edhe më e madhe se ajo e 2017-tës. Nëse në të parën demokratët refuzuan hipokrizinë e çadrës që u mbyll në një marrëveshje me Ramën, në 2023-shin, ata refuzuan edhe më shumë hipokrizinë e gjoja luftës për të vërtetën. Në të dyja rastet qëndrimi i votuesve të djathtë është qëndrim moral, i cili tregon thelbin e djathtë të tyre, ato që nuk i kanë ndjekur në këtë moralitet kanë qenë përfaqësuesit politik të tyre. Në këtë mënyrë, votuesi i djathtë na shfaqet më i emancipuar se sa ai i majtë i cili nuk ka arritur të bëjë ndëshkime elektorale mbi bazë morale, e cila na çon në deduksionin se masa elektorale e cila mund të garantojë një demokraci më të shëndetshme këtij vendi, është masa e djathtë e cila nuk pajtohet me imoralitetin dhe korrupsionin politik.
Prandaj, në vend që të dilet me deklarata publike , apo edhe ne rrjete sociale duke anatemuar eletoratin e djathtë , apo duke e akuzuar atë për blerje dhe shitje, është më e udhës që të gëzohemi që ka një masë e cila di të abstenojë atëhere kur duhet dhe di të votojë atëhere kur duhet. Kjo përbën një farë shprese për të gjithë ne, sepse e shpëton votën tradicionale tonën e cila ka qenë bazuar në instiktin partiak dhe fisnor më shumë se sa në racionalitetin politik dhe moral të gjëse.
Kokëfortësia vazhdon për të 33-tin vit radhazi. Kur Berisha pyetej nga gazetarët para zgjedhjeve se a do thuash m’i vodhën votat, ai përgjigjej “do t’ia zë në fyt vjedhjen”. Tani që Berisha buçet nëpër deklarata shtypi se i kanë vjedhur zgjedhjet, frymëmarrja e Edi Ramës nuk më duket aspak e zënë. Dorëheqja e Alibeajt, përveç faktit politik dhe elektoral tyrin, në vetvete mbart një taktike e cila e izolon Berishën dhe Meten në epshin e tyre për pushtet të përjetshëm, i zbulon ata përpara një kulture dorëheqjeje e cila po fillon e instalohet në Shqipëri. Prandaj, Berisha dhe Meta, do ta kenë shumë të vështirë jo me gazetarët dhe me mediat me të cilat ata janë mësuar t’i manipulojnë, por do ta kenë të vështirë pikërsht me këtë kulturë të mbajtjes së përgjegjësisë në supët e atij që gabon.
Me gjithë këtë humbje historike, sozia e Bashës shfaqet përsëri, tashmë në moshë të thyer, duke thënë se nuk kam humbur asnjë zgjedhje por vetëm se më kanë vjedhur. Me të gjitha gjasat “lufta fillon tani “ dhe një nje revolucion ne shtator, i cili sigurisht që pritet me padurim, do të nisë në kërkim të autorëve e tij. Një revolucion i cili do të çojë sloganin “bashkë firojmë” më një dimension të padëgjuar dhe të paparë ndonjëherë.