Basha sulmon Berishën: Frymë përçarëse mes demokratëve

“Vazhdon një frymë përçarëse nga një grup njerëzit që prej kohësh kanë vendosur interesat personale të Sali Berishës, mbi sakrificat e demokratëve”.

Kështu deklaroi deputeti Lulzim Basha mesditën e sotme, ku sulmoi ish-kryeministrin Sali Berisha se po vendos në plan të parë interesat e tij.

“Kjo është përdorur për të vazhduar frymën e përçarjes në parimin që kush nuk është me mua, kush nuk i nënshtrohet qëndrimit tij shpallet armik dhe kulak, siç e keni parë me sulmet qe i bën Enkelejd Alibeaj”, shtoi ai.

Basha nënvizoi se raporti i DASH konfirmoi kauzat e ngritura nga selia blu.

“Ju keni parë  raportin e DASH që konfirmon kauzat tona. Interesat e ngushta personale po mbajnë peng këtë aksion. Njësoj siç është pushtuar në mënyrë të paligjshme selia, është pushtuar edhe hapësira e aksionit opozitar”, tha deputeti.

Mbrëmjen e djeshme ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi kreun e Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj se po nxit përçarjen në parti duke ndërhyrë për të penguar zgjedhjet e kryetarëve të degëve.