Avionët luftarakë amerikanë F-15 mbërrijnë në Poloni

Avionët luftarakë amerikanë F-15, duke u ngritur nga baza Lakenheath në Angli, mbërritën në bazën e 32-të taktike ajrore në Lask të Polonisë për të mbështetur krahun lindor të NATO-s, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sot, avionët luftarakë amerikanë F-15 mbërritën në bazën ajrore në Lask, të cilët do të mbështesin krahun lindor si pjesë e misionit të NATO-s ‘AirPolicing’. Avionët do të qëndrojnë në Poloni deri në fund të shkurtit”, tha ministri polak i Mbrojtjes Mariusz Blaszczak në një deklaratë.

Siç njoftohet, avionët luftarakë amerikanë që erdhën në Poloni në kuadër të misionit të NATO-s do të mbështesin patrullën e 58-të të hapësirës ajrore ku bëjnë pjesë edhe Estonia, Lituania dhe Letonia.

Avionët F-15 mësohet se do të mbështesin forcat e policisë ajrore baltike dhe do të ndihmojnë në zbulimin e avionëve rusë që nuk raportojnë planet dhe vendndodhjet e tyre të fluturimit./AA/