Avionët izraelitë kryen sulme ajrore në Rripin e Gazës

Avionët izraelitë bombarduan Gazën në përgjigje të raketave të hedhura nga Rripi i Gazës në drejtim të Izraelit pas dy bastisjeve që forcat izraelite kryen në mesnatë dhe pas namazit të sabahut në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Kuds
.
Avionët luftarakë të Izraelit kryen sulm ajror ndaj dy pikave në perëndim të Rripit të Gazës nën bllokadë, transmeton Anadolu.

Avionët izraelitë bombarduan Gazën në përgjigje të raketave të hedhura nga Rripi i Gazës në drejtim të Izraelit pas dy bastisjeve që forcat izraelite kryen në mesnatë dhe pas namazit të sabahut në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Kuds.

Sipas mediave izraelite, avionët luftarakë të Izraelit, bombarduan dy pika të ndryshme në perëndim të Gazës.

Pala izraelite ose palestineze nuk ka bërë të ditur asgjë lidhur me të plagosur ose humbje jete në sulm.

Mbrëmë një grup palestinezësh u strehuan në Xhaminë e Kibles brenda kompleksit të Al-Aksasë, pas namazit të taravisë, pasi kolonët fanatikë hebrenj bënë thirrje për një bastisje nga hebrenjtë në Xhaminë al-Aksa për shkak të festës së tyre të shenjtë të Pesah (Pashkë) dhe realizimit të sakrificave.

Forcat izraelite bastisën në orët e mesnatës dhe pas namazit të sabahut kompleksin e Al-Aksasë, duke intervenuar me forcë ndaj atyre që u strehuan në Xhaminë e Kibles dhe shndërruan në zonë lufte faltoren e shenjtë.

Gjatë bastisjeve janë arrestuar mbi 200 palestinezë.

Pas bastisjeve të policisë izraelite, nga Rripi i Gazës nën bllokadë në drejtim të Izraelit ishin lëshuar raketa.

Në deklaratën e zyrës së zëdhënësit të ushtrisë izraelite thuhet se në drejtim të qytetit Sderot janë lëshuar pesë raketa, katër prej tyre janë shkatërruar nga sistemet e mbrojtjes ajrore dhe një raketë ka rënë në tokë të hapur.