Autoritetet kineze paralajmërojnë: Koronavirusi mund të bëhet më i fortë!

Kina lajmëroi gjatë fundjavës një ndalesë të përkohëshme të shitjes së kafshëve të egra në trege ushqimore dhe platformat në internet.

Komisioni i Shëndetit Kombëtar në Kinë bëri të ditur se aftësia e koronavirusit për t’u përhapur është fuqizuar dhe do vazhdojë të rritet, ndërkohë që thuajse 2,000 persona në Kinë janë infektuar dhe 56 kanë mbetur të vdekur.

Shumë raste janë raportuar edhe jashtë Kinës, përfshirë Tajlandë, Australi, Shtetet e Bashkuara, Francë dhe në Afrikë.   Kalifornia u bë shteti i tretë në Amerikë që raporton raste të infektimit.

Koronavirusi i ri ka shkaktuar alarm për shkak se ka shumë të panjohura të lidhura me të, si nivelin e rrezikut dhe mënyrën e përhapjes mes njerëzve.   Virusi shkakton pneumoni, që në disa raste ka qenë vdekjeprurëse.

Autoritetet e shëndetësisë në Kinë bënë të ditur se periudha e inkubacionit e virusit mund të variojë nga 1 në 14 ditë dhe virusi mund të infektojë të tjerë gjatë kësaj periudhe, gjë që nuk ndodhte me Sars.

“Aftësia e virusit për t’u përhapur është bërë më e fortë”, deklaroi Ministri i Komisionit Shëndetësor të Kinës, Ma Xiaowei, i cili shtoi se dihen ende pak gjëra në lidhje me të.  Ai shtoi se masat e përmbajtjtes, që përfshijnë deri më tani ndalimin e transportit, fluturimeve dhe anulimin e eventeve publike, do të shtohen.

Kina lajmëroi gjatë fundjavës një ndalesë të përkohëshme të shitjes së kafshëve të egra në trege ushqimore dhe platformat në internet.   Gjarpërinj, lakuriqë nate dhe krokodilë mund të blihen tek Taobao, një platformë e drejtuar nga Alibaba. /SCAN