Australia ndalon cigaret elektronike, ja arsyeja

Australia mesa duket është gati që të ndalojë cigareet elektronike, duke qenë kjo goditja më e madhe ndaj industrisë së duhanit në më shumë se një dekadë, në përpjekje për të ndaluar një rritje alarmante të konsumimit tek adoleshentët. Qeveria synon të ndalojë të gjitha “Vapes” të disponueshme, të cilat shpesh vijnë me shije frutash, dhe të kufizohet  shitja e tyre vetëm për ata që duan të lënë duhanin.

Ministri australian i Shëndetësisë Mark Butler tha se kjo është bërë një problem kryesor në shkollat e mesme dhe një problem në rritje në shkollat fillore, por pranoi se produktet kanë edhe një përdorim terapeutik në rrethanat e duhura.

Pretendohet se dëmi dhe varësia nga cigaret elektronike është afatgjatë.  Mjekët në Australi i mbështetën cigaret elektronike, por i kërkuan qeverisë të bëjë më shumë kujdes për të kufizuar numrin e të rinjve që po i konsumojnë. I rrezikshëm është fakti që këto produkte të nikotinës po shiten me shije të ndryshme dhe madje disa shfaqin të njëjtin lloj imazhi si drithërat e mëngjesit të fëmijëve duke përfshirë personazhe vizatimorë.

Sipas rregullave të reja, cigaret elektronike do të shiten vetëm në farmaci dhe do të kërkojnë paketim “të tipit farmaceutik”. Cigaret elektronike janë parë gjerësisht si një alternativë më e sigurt për pirjen e duhanit dhe e dobishme për të ndihmuar duhanpirësit të lënë duhanin. Madje ka edhe studime që e mbështesin këtë fakt.

A ndihmojnë cigaret elektronike për të lënë duhanin?

Debati për dobinë e cigareve elektronike si ndihmës për ndërprerjen e pirjes së duhanit është një temë mjaft sensitive në shumë vende të Evropës dhe një artikull i botuar në revistën “Nature Medicine” përpiqet të bëjë një bilanc të situatës dhe të arrijë në përfundime bazuar në fakte.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se përdorimi i cigareve elektronike ka bërë të mundur uljen e shitjes së cigareve tradicionale shumë më shpejt se në të kaluarën. Ekzistojnë gjithashtu prova që politikat që kanë kufizuar përdorimin e cigareve elektronike kanë rritur, pa dashur, pirjen e cigareve tradicionale.

Cigaret elektronike nuk janë produkte me zero risk, por sasia e provave deri më tani tregon se ato janë sigurisht më pak të rrezikshme se cigaret tradicionale dhe kjo është gjithashtu e vërtetë në terma afatgjatë, duke pasur parasysh se aerosoli i tyre përmban nivele të substancave të dëmshme ose potencialisht të dëmshme deri në 95% më pak se tymi i cigares.