Aplikimet për universitet, maturantët zgjedhin degët sipas notës mesatare

Përveçse e nxehtë, stina e verës është edhe më e ngarkuara për maturantët.

Në ditët e para të gushtit, duhet të përzgjedhin degët për të vazhduar studimet e larta. Plotësimi i formularit bëhet “online” dhe nga çdo vend ku ndodhen të rinjtë. Por, një pjesë e tyre nga pasiguria dhe për të mos u ndikuar nga prindërit, kanë zgjedhur të konsultohen me mësuesit në shkolla.

Nga 1 deri në 10 degë mund të përzgjedhin maturantët në formularin e aplikimit. Ky proces do të zgjasë deri në 5 gusht, transmeton A2News. Kreu i rrjetit akademik u bën apel të rinjve që bëjnë mirë llogaritjet para se të vendosin për të ardhmen e tyre.

Ndërsa maturantët që nuk arrijnë pragun e notës mestare 6,5 kanë mundësi të zgjedhin shkollat e larta profesionale. Degët e tyre kërkohen jo vetëm nga tregu vendas i punës, por edhe jashtë.

Në 2 shtator universitetet do të shpallin listën e kandidatëve fitues. Për vendet e mbetura bosh do të ketë edhe 2 raunde të tjerë për maturantët që nuk kanë fituar asnjë degë në universitete ose pretendojnë një shkollë më të mirë se ajo që arritën në fazën e parë.