Anti-informaliteti, Denaj: Gati ligji i ri, bizneset s’do i shpëtojnë dënimeve me vendim gjykate

 “Janë 755 biznese të monitoruara për rajonin e jugut, nga Vlora deri në Sarandë. Nga këto 40% e bizneseve janë në shkelje”, deklaroi sot Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, nga gjiri i Gjipesë, në kuadër të aksionit kundër informalitetit.

“Janë 755 biznese të monitoruara për rajonin e jugut, nga Vlora deri në Sarandë. Nga këto 40% e bizneseve janë në shkelje”, deklaroi sot Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, nga gjiri i Gjipesë, në kuadër të aksionit kundër informalitetit.

Ajo theksoi se në gusht do të ketë një paketë ligjore për të goditur në mënyrë të plotë juridike paligjshmërinë, raporton ATA.

Denaj u shpreh se “për ne është e rëndësishme të vendosim të gjithë bizneset  përpara një ndërgjegjësimi që jemi aty për të monitoruar, për të respektuar ligjin. Rakordimi më i mirë i të gjithë politikave jo vetëm atyre qendrore dhe lokale për të mos lejuar paligjshmërinë në të gjitha aspektet që nga vendndodhja, prerja e kuponit kundrejt të gjithë rregullave ligjore është ai që është objektivi sot dhe besoj që brenda muajt gusht, ne do të dalim me një paketë më të plotë ligjore për të goditur të gjithë elementët e paligjshmërisë”.

“Sikurse e keni parë edhe në evidencat e shkeljeve edhe në  evidencat e kuponit të munguar edhe në vendosjen e shiritit, ndodh që pas tre ditësh hiqet shiriti kundrejt rregullave juridikisht të sakta me një vendim gjykate. Kjo paketë ligjore e cila po punohet, do të synojmë një goditje të plotë juridike pa qenë nevoja për një procedurë kaq të koklavitur, e cila në fund nuk e godet paligjshmërinë”, theksoi Denaj.