Ankaraja “dënoi fuqishëm” një aktivitet anti-Türkiye nga krerët dhe mbështetësit e grupit terrorist PKK/PYD/YPG në ndërtesën e Parlamentit Evropian, tha Ministria e Jashtme turke, transmeton Anadolu.
“Është e papranueshme të lejohet një aktivitet i tillë që sulmon integritetin e vendit tonë dhe i shërben propagandës së një organizate terroriste që është cilësuar si organizatë terroriste nga Bashkimi Evropian”, thuhet në një deklaratë të ministrisë.
Kjo situatë zbulon edhe një herë “hipokrizinë dhe josinqeritetin e Parlamentit Evropian në luftën kundër terrorizmit”, shtoi ministria.
Türkiye pret që institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare të qëndrojnë pranë saj në luftën e saj kundër terrorizmit, i cili përbën kërcënim për sigurinë ndërkombëtare, thuhet në deklaratë.
“Lejimi i këtij aktiviteti, i cili synon të fitojë legjitimitet duke përmendur emrin e vendit tonë, bie ndesh edhe me detyrimet ndërkombëtare të BE-së”, theksohet më tej.
Türkiye do të “vazhdojë me vendosmëri luftën e saj kundër të gjitha organizatave terroriste pa dallim”, tha Ministria e Jashtme.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40.000 njerëzve.