Ambasadori i Turqisë: Shqipëria e meriton të jetë pjesë e BE-së

-Ambasadori i Turqisë: Shqipëria e meriton të jetë pjesë e Bashkimi Evropian

“Shqipëria e meriton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, pasi në gjithë këto vite është transformuar pozitivisht”, deklaroi ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük.

Ai mori pjesë në një takim të hapur në  universitetin privat  “Luarasi”, ku theksoi se, “Turqia dhe Shqipëria gjithmonë kanë pasur marrëdhënie shumë të mira dhe speciale e të dyja vendet ecin përkrah njëra-tjetrës edhe në ditët e sotme. Kjo marrëdhënie e mirë na shtyn të kemi një bashkëpunim edhe më të ngushtë mes dy shteteve”.

“Shoqëria shqiptare është shumë dinamike, shumë e integruar dhe ka një vend strategjik në hartën evropiane. Gjithashtu ka qenë faktor stabilizues dhe ka potencial ekonomik për tu zhvilluar shpejt”, shtoi ai .

Ambasadori u shpreh se “do të ishte kënaqësi të bashkëpunonim më shumë me universitetet shqiptare, në shkëmbimin e studentëve, pedagogëve dhe kërkimin shkencor”.

Kryetari i Bordit të Administrimit në “Luarasi”, Dashnor Dervishi vlerësoi eksperiencën e tij si  ambasador i Shqipërisë në Turqi vite më parë. Ai theksoi se miqësia me Turqinë do të reflektohet edhe më shumë nëpërmjet bashkëpunimeve të mëtejshme në arsim e ekonomi. 

“Është një kënaqësi e madhe të kemi ambasadorin e Turqisë në universitetin tonë. Edhe Shqipëria me politikën e saj të jashtme nëpërmjet marrëdhënieve miqësore e vëllazërore që ka me Turqinë, rregullon ekuilibrat e veta me vendet e tjera fqinjë. Ne do të donim që kjo miqësi, kjo traditë, kjo histori e përbashkët midis vendeve tona të reflektohet më shumë në marrëdhëniet ekonomike. Nëpërmjet ambasadorit, të gjejmë hapësira më të mëdha për të shtrirë bashkëpunimin tonë në fushën e arsimit”, bëri të ditur Dervishi.

Rektori i universitetit, prof.dr. Ethem Ruka i cilësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet mes dy vendeve duke shtuar se bashkëpunimi universitar mund të rritet jo vetëm falë shkëmbimit të studentëve e pedagogëve, por edhe me ngritjen e grupeve të përbashkëta kërkimore.

Ky është një dimension tjetër i universitetit Luarasi, i cili është i hapur dhe ndaj faktorit ndërkombëtar. Do të dëshiroja që këtë dialog ta vazhdojmë me mundësinë që të rrisim bashkëpunimin universitar midis dy vendeve, jo vetëm thjesht me shkëmbim studentësh dhe pedagogësh, por pse jo duke ngritur dhe grupe të përbashkëta kërkimore në fushat që ne na interesojnë”, theksoi Ruka në fjalën e tij.

***

-Turqia vazhdon ndihmesën për Policinë e Shqipërisë

Institucionet e Turqisë vazhdojnë ndihmesën me trajnime për punonjësit e Policisë së Shqipërisë, ndërsa trajnimi i fundit ishte për efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shqipërisë (FNSH), mundësuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Turke.

Në aktivitetin e ndarjes së certifikatave organizuar në ambientet e Akademisë së Sigurisë në Tiranë ishin të pranishëm drejtori i kësaj akademie, Bilbil Memaj, sekretarja e tretë pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Seda Kırdar, përfaqësuesja e TIKA-s, Dilek Sayin, koordinatori i TIKA-s në Shqipëri, Necip Özay Özütok, si dhe përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë.

Memaj në fjalën e tij përshëndetëse tha se në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve do të realizohen përsëri trajnime të tilla në të ardhmen.

Në emër të Akademisë së Sigurisë falënderoj Policinë Turke për këtë bashkëpunim të ngushtë që ne kemi dhe për faktin që këtë vit është viti më i suksesshëm i bashkëpunimit tonë që do të vazhdojë, në bazë të projektit që kemi. Ky trajnim është i veçantë pasi këtë eksperiencë e marrim nga Policia Turke, pasi ka shumë raste të menaxhimit të situatave rreth menaxhimit të turmave, të aktiviteteve masive“, tha Memaj.

Ai u shpreh më tej se “Ne e dimë tashmë që koleget tanë të Policisë së Turqisë kanë menaxhuar me sukses tubime të tilla, të përmasa shumë të mëdha. Policia duhet të jetë e paanshme sidomos në menaxhimin e turmave pasi nuk duhet të ndikohemi nga politika dhe në rastin e menaxhimit të turmave duhet të jemi shumë të kujdesshëm”.

Përfaqësuesja e Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Seda Kırdar, theksoi se duke u shpërndarë eksperiencat në këtë fushë zgjerohen dhe pasurohen më tepër marrëdhëniet midis dy vendeve. 

Ne jemi së bashku me ju sot duke marrë parasysh bashkëpunimin midis dy shteteve i cili është i shtrirë në shumë fusha të ndryshme. Këto trajnime po bëhen çdo vit dhe theksoj faktin që këto kanë një rëndësi jetësore. Të gjithë përfaqësuesit e policisë kur shpëtojnë jetën e njerëzve të tjerë vendosin në rrezik edhe jetën e tyre. Drejtoria e Policisë në Turqi është një ndër drejtoritë më të suksesshme në botë në lidhje me menaxhimin e turmave“, tha Kırdar.

Ajo theksoi se trajnimi tregon suksesin që kanë marrëdhëniet e mira mes dy shteteve.

Përfaqësuesi i Policisë së Turqisë, Hakan Er, tha se “Kemi përfunduar me sukses trajnimin, ku kemi folur për taktikat dhe teknikat e ndërhyrjes dhe masat parandaluese që duhet të marrin forcat e ndërhyrjes së shpejtë, për menaxhimin e ngjarjeve me karakter social. Jemi përpjekur maksimalisht të japim më të mirën“.

Pjesë e trajnimit ishin 24 punonjës të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë nga disa qytete të vendit, ndërsa dy përfaqësues nga Policia e Turqisë kanë trajnuar koleget e tyre shqiptarë për parimet e ndërhyrjes në ngjarjet sociale, ose gjatë trazirave të ndryshme, sidomos për menaxhimin e turmave.

Institucionet turke kanë ofruar në vitet e fundit trajnime për tema të ndryshme për pjesëtarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, në lidhje me metodat e luftës kundër terrorizmit, hetimin kundër krimit të organizuar, konceptet themelore të inteligjencës dhe për tema të tjera.

***

-“Rrugët e Besimit”, kantier restaurimi nga TIKA në xhaminë Mbret në Berat

Xhamia Mbret ose Xhamia e Sulltanit, një nga xhamitë kryesore të qytetit të Beratit, ndodhet në qendër të qytetit si pjesë e një kompleksi arkitekturor ku veç saj janë dhe teqeja e Helvetive me gjithë konakët, si dhe ajo e Sheh Qerimit.

Në kuadër të programit të Ministrisë së Kulturës “Rrugët e Besimit”, Xhamia Mbret, Berat po i nënshtrohet ndërhyrjeve restauruese, të financuara nga Agjencia Turke për Zhvillim (TIKA) dhe e mbikëqyrur nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.

Kryeministri Edi Rama ka uruar me disa fotografi nga kantieri i restaurimit të kësaj xhamie.

Mirëmëngjesi dhe me këto foto nga kantieri i restaurimit të xhamisë Mbret në Berat, pjesë e programit “Rrugët e Besimit” që mundëson restaurimin e objekteve të Kultit si pjesë e zhvillimit të Turizmit Kulturor, ju uroj një javë të mbarë”, shprehet Rama.

Xhamia Mbret është një nga objektet e kultit islam më të rëndësishëm në qytetin e Beratit dhe monument kulture i kategorisë I i shpallur që në vitin 1948. Ajo është pjesë e kompleksit të Qendrës Islamike dhe është ndërtuar nga Sulltan Bajaziti II në fund të shekullit XV.

Projekti i restaurimit është hartuar në bashkëpunim me specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe parashikon restaurimin e plotë të xhamisë.

***

-“Karvani i begatisë” i ALSAR-it nis rrugëtimin e tij 

Jehona e traditës së shtrimit të iftareve ndjehet kudo anembanë Shqipërisë, nën efektet e një atmosfere festive të muajit të bekuar të Ramazanit.

Kjo traditë 13 vjeçare është pasuruar këtë vit me një risi të veçantë falë kontributit të ofruar nga Bashkia e qytetit Afyon në Turqi, e cila ka dhuruar një automjet në funksionin e kuzhinës lëvizëse që do të udhëtojë jo vetëm nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe ne vendet e tjera te rajonit.

“Karvani i begatisë” nisi rrugëtimin e tij në Tiranë përmes shtrimit një iftari në Tiranë për 300 persona falë kontributit të ofruar nga organizata partnere “Dost Eli” me qendër në Turqi, me synimin për të krijuar ndjenja solidare e atmosferë festive të këtij muaji të mirësive e begative hyjnore dhe duke shpërndarë mesazhe begatie dhe vëllazërie.

Ndalesa e radhës së projekteve të bamirësisë nga Fondacioni ALSAR ishte në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, ku realizoi projektin e dhurimit të një kontingjenti ndihmash në pako ushqimore në përgjigje të kërkesës së saj për ti ardhur në ndihmë shtresave sociale në nevojë.

Ky projekt u mundësua falë kontributit të ofruar nga Fondacioni UKID me qendër në Turqi, i cili krahas kësaj ndihme i dhuroi këtij institucioni edhe një laptop për shërbime administrative të këtij komuniteti.

***

-Shoqata “Istanbul” vazhdon traditën e saj të shtrimit të iftareve

“Sofra Tradicionale e Iftarit” e shtruar prej vitesh, mbledh çdo vit komunitete besimtarësh myslimanë, të ftuar nga komunitete të tjera fetare, të ftuar nga pushteti lokal dhe qendror dhe shtresa të ndryshme.

Sofra e parë e iftarit mirëpriti stafin e shoqatës “Istanbul” me kryetar Ritvan Seferaj dhe medresenë “Haxhi Shesh Shamia”, dega e Djemve.

Ajo i parapriu disa iftareve që do të shtrohen përgjatë gjithë muajit të Ramazanit.

Në sofrën tradicionale të iftareve shoqata “Istanbul” ka ftuar stafet dhe drejtuesit e myftinive  Shkodër dhe Koplik, ku nderuan me pjesëmarrjen e tyre, myftiu i zonës së Shkodrës, imam Muhamed Sytari dhe myftiu i Malësisë së Madhe, h. Edmir Smajlaj.

Në fjalët e tyre të rastit ata kanë përshëndetur organizimin e të tilla iftareve, të cilat afrojnë më tej besimtarët në një muaj të vëllazërimit siç është muaji i Ramazanit.

Nga ana tjetër, kryetarja e Këshillit të Qarkut Shkodër, Greta Bardeli (Gjoni) në ambientet e shoqatës “Istanbul” ka shtruar një iftar në nderim dhe respekt të besimtarëve agjërues. Merrnin pjesë gra besimtare, por edhe përfaqësues të medresesë së Shkodrës, Myftinisë etj.

Drejtori i medresesë, Kujtim Dervishi dhe kryetarja e Qarkut në përshëndetjet e tyre vlerësuan sakrificën dhe përkushtimin e atyre që agjërojnë për hirë të Zotit Fuqiplotë në këtë muaj të madhëruar të Ramazanit…

Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-