“ALSAR” e përkujton me një konferencë shkencore 140-vjetorin e Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip

I dhënë fort pas përkujtimit të ngjarjeve me rëndësi kombëtare, Fondacioni “ALSAR” mblodhi sot, më 1 nëntor, në hotelin “Tirana International”, akademikë, historianë, intelektualë dhe politikanë në 140-vjetorin e themelimit të Shoqërisë së Stambollit.

I dhënë fort pas përkujtimit të ngjarjeve me rëndësi kombëtare, Fondacioni “ALSAR” mblodhi sot, më 1 nëntor, në hotelin “Tirana International”, akademikë, historianë, intelektualë dhe politikanë në 140-vjetorin e themelimit të Shoqërisë së Stambollit.

Aktiviteti u organizua vetëm pak kohë pasi Fondacioni “ALSAR” botoi dhe një pëmbledhje studimesh dhe artikujsh mbi krijimin e kësaj shoqërie.

Shoqëri e të Shtypuri Shkronja Shqip do të themelohej më 12 tetor të vitit 1879, dhe me fjalët e Sami Frashërit, kishte për qëllim “të ngjallurit e gjuhës shqipe, të bashkuarit e dialekteve të saj, të ndritësuarit e kombit tonë”. “ALSAR” u kujdes që 140 vite më pas ta përkujtojë ngjarjen me një konferencë shkencore.

Konferencën  do ta nderonin me pjesëmarrjen e tyre ish-presidenti Alfred Moisiu, kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, kryetari i partisë Alternativa në Maqedoninë e Veriut, Afrim Gashi, etj.

Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Fondacionit “ALSAR”, z. Mehdi Gurra, i cili veç përshëndetjeve të rastit dhe shprehjes së mirëseardhjes për të pranishmit, e vuri theksin në tre gjëra. Ai nënvizoi edhe njëherë tjetër angazhimin e pareshtur të organizmit që drejton për çështjen kombëtare, të reflektuar në organizimin e aktivitetit të sotëm, foli për paanësinë dhe hulumtimin e vazhdueshëm që duhet ta karakterizojnë historianin, për t’i parë ngjarje të tilla më me realizëm, dhe vuri në pah rëndësinë e themelimit të Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip.

“Është detyrë e historianit, dhe jo vetëm e tij, të hulumtojë pareshtur, të kërkojë diçka të re, diçka të pathënë, të fshehur apo të shtrembëruar, për të na e paraqitur aq sa është e mundur më pranë së vërtetës një ngjarje me peshë të madhe në historinë e vendit. Përkujtimi i përvjetorëve, si ky i 140-vjetorit të Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip, duhet të shërbejë për të sjellë një mendim profesional më të kualifikuar, më të pandikuar. Shpresoj shumë që kumtesat në këtë konferencë shkencore të na japin këndvështrime të reja, gjetje të reja, që qëndrojnë larg ideve të ngurtësuara dhe paragjykuese,” tha ai për të pranishmit në sallën “Balsha”.

Radhën për të folur pas z. Gurra do ta kishte ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük. Fjala e përshëndetjes e diplomatit të lartë turk ishte e mirëmenduar, e përqendruar në vënien në dukje të lidhjeve të forta mes dy popujve, të një trashëgimie të përbashkët historike, e të nevojës për të mos e politizuar historinë, por për t’ua lënë atë për studim historianëve.

Dhjetë kumtesat në vazhdim iu kushtuan Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip dhe alfabetit të Stambollit, parë në forma të ndryshme. Folën në konferencë prof. dr. Ferit Duka, dr. Metin Ünver, prof. dr. Tomor Osmani, prof. dr. Seit Mansaku, prof. dr. Shefkije Islamaj, prof. dr. Emil Lafe, dr. Şamil Mutlu, prof. dr. Rami Memushaj, dr. Zekerija Ibrahimi, dhe prof. dr. Xhevat Lloshi.

Për t’u veçuar qe konkluzioni i një prej dy folësve turq në konferencë, i dalluar për realizmin në vështrimin e qëndrimit të Perandorisë Osmane ndaj përpjekjeve të shqiptarëve për ta folur dhe shkruar gjuhën e tyre: “Qëndrimi që ka mbajtur shteti osman duke filluar nga çereku i fundit i shekullit të 19-të ndaj gjuhës shqipe dhe arsimimit të shqiptarëve nuk ka qenë kurrë në të njëjtin drejtim, por është ndikuar së tepërmi nga zhvillimet sipas periudhave, nga zhvillimet politike të brendshme dhe të jashtme. Kështu, ndërsa në vitin 1878 ka mbështetur Lidhjen e Prizrenit dhe ka inkurajuar përhapjen e alfabetit të Stambollit, më vonë, për shkak të zhvillimeve të reja, ka qenë i detyruar të veprojë në një linjë të ndryshme. Politika arsimore që shteti zbatoi ndaj shqiptarëve asnjëherë nuk ka qenë më poshtë nga ajo e ndjekur ndaj popujve të tjerë që jetonin në Perandorinë Osmane.”

Punimet e konferencës, të gjitha kumtesat e mbajtura në të, do të botohen si një përmbledhje më vete nga Fondacioni “ALSAR”.