Albin Kurti: Prioriteti i Kosovës është anëtarësimi në NATO

"Anëtarësimi në NATO është prioritet, prandaj edhe investimet në Forcën e Sigurisë janë të domosdoshme që të bëhemi partner të denjë”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti si dhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, me rastin e 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kanë vizituar sot pas seancës solemne të Kuvendit, Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Kurti por edhe kryeparlamentarja Osmani në prani të pjesëtarëve të FSK-së, ministrit të Mbrojtjes, Anton Quni dhe ministrave të tjerë nga kabineti i qeverisë, theksuan në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë se “prioritet i shtetit mbetet anëtarësimi i Kosovës në Bashkim Evropian (BE) dhe në NATO”.

Kurti, duke folur për idenë e tij për shërbimin ushtarak, tha se Kosova pa ushtri është e dobët. Ai shtoi se shërbimi ushtarak nuk po bëhet për të sunduar vende, por për të forcuar shtetin e Kosovës.

Ai tha se pa ushtri Kosova është e dobët, ndërsa foli edhe për idenë e tij për shërbimin ushtarak, ku tha se përvojat e këtij shërbimi “duhen për t’u përballur edhe me betejat e paqes”.

“Do të punojmë që të ndërtojmë aleanca të reja e ta avancojmë sa më shpejtë anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian. Anëtarësimi në NATO është prioritet, prandaj edhe investimet në Forcën e Sigurisë janë të domosdoshme që të bëhemi partner të denjë. Integrimi në Bashkimin Evropian është rrugë e gjatë dhe e mundimshme por rrugë që na forcon”, tha ai.

Kurti tutje tha se reformat që Kosova duhet t’i bëjë janë “reforma që na duhen për të zhvilluar shtetin e së drejtës, zhvillimin e vendit dhe barazinë në popullsi”.

Ndërkaq, kryeparlamentarja Osmani, u tha pjesëtarëve të FSK-së se ata janë “përkrahësit më të mëdhenj të paqes”. Osmani theksoi se “anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i vendit tonë”.

“Kosova po shënon 21 vjet liri dhe 12 vjet shtet, dhe askush më mirë se populli i Kosovës nuk e kupton në thelb rëndësinë e të jetuarit në një vend të lirë dhe të sigurt, ku garantohen liritë politike dhe qytetare për të gjithë pa dallim. Vajzat dhe djemtë tanë në uniformë, janë të shkolluar dhe përgatitur profesionalisht, të stërvitur me standardet më të larta të vendeve të NATO-s dhe të gatshëm të përballen me sfida dhe nevojat eventuale. Si bashkëshorte e një ushtaraku, mbajë me krenari uniformën e Forcave tona në shtëpinë tonë, gjithmonë e vetëdijshme për sakrificën që keni bërë për t’i shërbyer vendit”, theksoi Osmani.

Pavarësia e Kosovës u shpall më 17 shkurt të vitit 2008 ndërsa ajo sot njihet nga 116 vende të ndryshme të botës. Qytetarët e Kosovës sot festojnë në qendrat kryesore të vendit, vizitojnë në Prekaz shtëpinë e heroit të luftës së fundit në Kosovë, Adem Jashari ndërsa monumenti i pavarësisë i vendosur në kryeqytet “NEW BORN” merr pamje të re, ku këtë vit do të ngjyroset me motive kushtuar të abuzuarave nga dhuna seksuale në gjithë botën.Kurti: Anëtarësimi i Kosovës në NATO është prioritet