Akuza për korrupsion, SPAK mbylli hetimet GJKKO kthen çështjen për tre zyrtarët e Mjedisit. Nën hetim dhe dy mjekët

GJKKO kthen çështjen për tre zyrtarët e Mjedisit të akuzuar për korrupsion dhe merr të pandehur dhe dy mjekë.
Teksa SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve dhe çoi çështjen për gjykim, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kthyer sot për të dytën herë aktet në ngarkim të tre inspektorëve të Ministrisë së Mjedisit Ilir Nishanit, Genci Hickës dhe Gerson Tafës, të cilët akuzohen për korrupsion.

Po kështu SPAK kishte kërkuar pushimin e çështjes për dy mjekët Kostandin Balloma dhe Besim Boçi që ishte i pranishëm në Klinikën e Kostandin Ballomës kur u dhanë paratë, por GJKKO, ka kërkuar të merren të pandehur edhe ata.

Sipas prokurorisë, Hicka, Tafa dhe Nishani i kishin kërkuar klinikës ku punonin Balloma dhe Boçi, 30. 000 lekë që mos t’i vinin gjobë për trajtimin e mbetjeve spitalore.

Ishte vetë mjeku Konstandin Balloma që kallëzoi në SPAK se tre inspektorët e mjedisit i kishin shtrënguar për të dhënë paratë, të cilat kishte deklaruar se i kishte dhënë. SPAK i ka marrë të pandehur në 2021 tre inspektorët e mjedisit, por nuk ka ngritur akuzë për mjekët. Inspektorët nga ana e tyre pretendojnë që nuk i kanë marrë paratë. Dy mjekët janë marrë të pandehur për akuzën për korrupsion aktiv.