AKU, intensifikon punën për një stad të ri kontrolli ushqimor

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka intensifikuar punën për të ngritur një stad të ri për kontrollin dhe sigurinë ushqimore në tregjet e vendit.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka intensifikuar punën për të ngritur një stad të ri për kontrollin dhe sigurinë ushqimore në tregjet e vendit.

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Agim Ismaili tha në një prononcim për ATSH-në, se tashmë për garantimin e sigurisë ushqimore në vend, është ngritur dhe funksionon Task-Forca, fokus kryesor i së cilës në këtë kohë është mbarëvajtja e sigurisë ushqimore gjatë sezonit turistik.

AKU, tha Ismaili, “për të forcuar masat në drejtim të sigurisë ushqimore gjatë sezonit veror kur rritet rreziku për ushqimet, i ka dërguar gjatë periudhës prill-maj të këtij vitit, një letër informuese të gjitha subjekteve që kanë lidhje me sezonin turistik, bregdetar dhe malor, ku i kemi shpjeguar evidentimin e shkeljeve që hasem më së shumti, dhe i kemi kërkuar atyre të bejnë vetë kontroll në këto drejtime, me qëllim parandalimin e çdo gabimi”.

Gjithashtu, theksoi ai, “kemi vendosur komunikim intensiv me të gjitha bashkitë e vendit për subjektet e përkohshme që funksionojnë gjatë sezonit veror, që të marrin masa dhe të plotësojnë të gjitha rregullat për ushtrimin e aktivitetit të tyre sipas standardeve të sigurisë ushqimore”, raporton ATSH.

Gjej rastin tha drejtori i AKU-së, “ti bëj apel qytetarëve dhe subjekteve tregtare të denoncojnë çdo rast abuziv që konstatojnë në drejtim të sigurisë ushqimore”, pasi siç tha ai, “do të ndërhyjmë dhe marrim masa për çdo shkelës të ligjit”.