Aktet politike ngjajnë e ringjajnë pafundësisht njësoj

Nga Redi Shehu

Përsëritja historike e ngjarjeve politike në Shqipërinë e pas komunizmit, është një rast studimor në vete. Fakti që gjërat ngjanë dhe ringjajnë si një skenar i cili qarkullon vazhdimisht pa u përditësuar aspak, tregon se mënyra e make-ut-it tone politik me gjuhë evropianiste, në fund të fundit është vetëm një përbërës me veti luçiduese i cili vjen e zvenitet sapo kalon  mandati i  parë dhe shpërbëhet në mandatin e dytë, duke e bërë të pamundur shkëlqimin. Kjo ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë edhe sot e kësaj dite në të gjitha fazat e pushtetit. Kjo ngjan të jetë normale përsa kohë qeverisja ndërtohet mbi premisën e një sforcoje të madhe në raportet me të drejtën.

Gjërat ngjajnë dhe ringjajnë  pothuaj me të njëjtin skenar tek ne, pikërisht kur mandatet e dyta qeverisëse të të dyja forcave politike në Shqipëri, pushtojnë edhe kriterin e së vërtetës. Pyetja që shtrohet në këtë kontekst është se a mundet një forcë politike në Shqipëri të administrojë një mandat të tretë qeverisës brënda normave të së drejtës sociale? Përgjigja është e vështirë sepse sforcoja për të qenë i drejtë kur vetë në softin tënd nuk e ke, nuk mund të rezistojë për një kohë të gjatë, prandaj edhe skenari përsëritet përpikmërisht në fundin e mandateve të dyta. Kjo ka ngjarë me ish-Kryeministrin Nano, kjo ka ndodhur me Kryeministrin  Berisha dhe ndodh edhe e kryeministin aktual Rama.

E keqja më e madhe pastaj qëndron në  mbrojtjen e padrejtësive me artikulime teknokratësh të ligjit. Kështu, në fakt ne nuk po kemi akoma një forcë politike e cila e merr pushtetin në Shqipëri duke ofruar një produkt superior politik ndaj qeverisjes së vjetër, por kemi degradime të pushteteve të vjetra qeverisëse, pra kemi humbje pushtetesh në konteksin e moralitetit se sa fitore te pushteve në spektrin meritor. Duket tashme se zgjedhësit janë të dënuar më shumë se sa të sjellin në pushtet një forcë të re politike, të presin dekompozimin e forcës së vjetër në pushtet.

Rastet e proçeseve gjyqësore politike të pa zbardhura komplet, janë  çështje komplekse sepse vetë ngjarjet ishin komplekse me shumë palë të implikuara dhe shumë përgjegjës njëkohësisht. Zbulimi i të vërtetës, ashtu si edhe në çdo çështje, do të duhej të bëhej duke u kapur pas të drejtës si nocion thelbësor sepse është e vetmja rrugë që të çon tek e vërteta. Për ta bërë këtë do të duhej një angazhim i drejtë. Por në fakt pyetja që lind është se sa e drejtë ka qenë e gjithë ngjarja jonë politike, dhe sa të drejtë kanë qenë të gjithë faktorët që e kompozuan këtë ngjarje? Duke parë raportet e tyre me të drejtën sociale atëhere arrijmë të kuptojmë se, nuk kishte se si të ishte ndryshe veçse një zgjatim i ngjarjes dhe konsiderimi i këtij institucioni ndaj të vërtetës do të ishte as më shumë e as më pak se sa vetë metodologjia e të drejtës që ai përdor. Kush na siguron sot se në Shqipëri ka një forcë politike e cila dukshëm nuk do ta personalizojë në mandatin e parë apo të dytë të saj, se lere pastaj ne te tretin,  kriterin e së drejtës  përmes implikimit të institucioneve të drejtësisë në pjesëmarrjen qeverisëse me qindra formas e mënyra të sofistikuara?

Vështirësisë për të qenë asnjanës në një terren skajshmërisht të njëanshëm, nuk i shpëtojnë as institucionet ndërkombëtare të cilat kanë marrë përsipër të arbitrojnë proçesin e zbatimit të të drejtës qeverisëse në Shqipëri. Për habinë e askujt, pavarësisht se sa politikanë ndërkombëtarë janë ndërruar në krye të institucioneve që ata përfaqësojnë, përsëri gjërat në terrenin e shqiptarëve ngjajnë e ringjajnë pafundësisht njësoj. Edhe pas kaq shumë kohe të leksioneve të sponsorizuara politke të institucioneve ndërkomëbtare ndaj lidershipit shqiptar, përsëri gjërat ngjanë e ringjanë njësoj çka na bën të mendojmë se dhe rezultatet do të ngjajnë e ringjajnë po ashtu si më parë.