Shqipëria renditet e dyta në listën e 10 vendeve më të kërkuara për të kaluar pushimet verore nga Airbnb Inc., kompania amerikane që operon në tregun online për gjetjen e banesave për qëndrime afatshkurtra dhe afatgjata, e cila ka publikuar buletinin e verës 2023, duke renditur destinacionet më të kërkuara në të gjithë botën.
Këtë vit, kompania pret mbi 300 milionë pushues, që do të qëndrojnë në banesat e regjistruara në platformën e njohur.
Kuta Atara, Bali
Destinacioni veror numër një i vitit 2023 në AirBnB është Kuta Atara, parajsa e sërfistëve në Balin Jugor, Indonezi.
Me tarifat për vilat private, që fillojnë nga 128 USD për natë, ky qytet plot gjallëri, është një mundësi e shkëlqyer për pushime të bukura dhe ekonomike.
Ksamil, Shqipëri
Jo më një “përlë e fshehur”, pasi u bë virale në TikTok, Shqipëria zë vendin e dytë në renditjen verore të AirBnB, me qytetin e bukur bregdetar të Ksamilit.
Në bregdetin jugor të Adriatikut, Ksamili ka një skenë turistike në zhvillim, det të qetë dhe trashëgimi të lashtë kulturore dhe historike.
Vlen për t’u përmendur zona arkeologjike e Butrintit, që përfshin rrënojat e qytetit të lashtë ilir dhe është vetëm 5 km në jug. Ndërsa Syri i Kaltër, një burim karstik me ujëra kristal, thellësia e të cilit ende nuk dihet, është 40 minuta me makinë, në rrugën midis Sarandës dhe Gjirokastrës.
Nga të gjitha destinacionet në këtë listë, Ksamili është padyshim qyteti më ekonomik. Çmimet për një apartament fillojnë nga 22 USD, jashtëzakonisht të lira për një natë në AirBnB.
Londër, Angli
Një metropol me larmi të madhe kulturore, kryeqyteti anglez është padyshim një nga destinacionet më emocionuese, jo vetëm në Europë, por në të gjithë botën.
Megjithëse dihet se nuk ka çmime të lira, ka ende disa zona, që mund t’i përshtaten buxhetit tuaj. Tarifat për një natë për dhoma private, mund të fillojnë nga 53 USD.
Barcelona, Spanjë
Zemra e rajonit historik të Katalonjës, Barcelona është destinacion klasik veror. Me shtrirje në bregdetin me diell të detit Mesdhe, qyteti dallohet për jetën shoqërore, si dhe një mori monumentesh kulturore.
Barcelona nuk është aspak një destinacion ekonomik. Çmimet e banesave të AirBnB variojnë midis 156 USD dhe 289 USD në natë.
Gotland, Suedi
Një ishull piktoresk suedez në Detin Baltik, Gotland renditet i pesti ndër destinacionet verore të AirBnB. Gotland u ofron pushuesve parqe detare me kafshë të egra dhe plazhe me rërë të pastër, megjithëse temperatura e ujit mund të jetë jo aq e ngrohtë sa ajo e Mesdheut.
Fjetja në kabinat vendase nuk është shumë e shtrenjtë, duke filluar nga vetëm 56 USD për një natë.
Destinacionet verore më të kërkuara në mbarë botën në tremujorin e parë të 2023:
1. Kuta Utara, Bali
2. Ksamil, Shqipëri
3. Barcelona, Spanjë
4. Londër, Angli
5. Gotland, Suedi
6. Louisville, KY, SHBA
7. Romë, Itali
8. Rouen, Francë
9. Marrakesh, Marok
10. Grindelwald, Zvicër
/ Travel Off Path