Agjenti i Lautaro Martinez: Rinovimi? Nuk është e lehtë, por ai e do Interin

“Nuk e di nëse Lautaro ka zgjedhur të punojë me mua, por unë di se përse kam zgjedhur të punoj me të. Për mua është një ndër që e përfaqësoj“, janë fjalët e agjentit të Lautaro Martinez, Alejandro Camano, i cili flet për të ardhmen e kapitenit zikaltër dhe jo vetëm në një intervistë ku zbulon se diskutimet për rinovimin e kontratës me Interin tashmë kanë nisur.

“Po bisedojmë që të marrim një propozim që të mund të kënaqë Lautaron. Nuk është e lehtë, në kuptimin që nuk është diçka që bëhet sot për nesër. Por po punojmë që të arrijmë një akord. Probleme? Nuk besoj se do të ketë. Kemi një raport të shkëlqyer me zikaltrit, siç po thoja kemi nisur tanimë diskutimet. Do të takohemi sërish për të hyrë në detaje në momentin më të përshtatshëm“.

Lautaro shikon vetëm zikaltër dhe për këtë arsye në verën e kaluar i tha jo edhe një oferte të jashtëzakonshme nga Arabia Saudite.

“Është e vërtetë, nuk deshi as ta dëgjonte propozimin. E çuditshme? Varet se për kë, nuk është për dikë që e ka të qartë projektin e jetës, ndjesinë e përkatësisë, që ndihet aq mirë në skuadër edhe pse ndihet i vlerësuar nga klubi.

Të mos harrojmë të gjitha sukseset e zikaltërve, po flasim për skuadrën nënkampione të Europës. Interi sot është në një seri të shkëlqyer rezultatesh dhe Lautaro bashkë me shokët e tij të skuadrës dhe trajnerin, ndihet pjesë e këtij suksesi”.

Për sa i përket krahasimit me një legjendë si Zanetti, agjenti i Lautaros u shpreh i nderuar që ish-kapiteni ka bërë një paralelizëm të tillë. Ndërkohë që pyetjes nëse mund të fitojë Topin e Artë iu përgjigj:

“Dashtë Zoti, do të ishte një gëzim i pamasë për të gjithë ata që duan ta shohin të lumtur, përveçse një shpërblim botëror për të. Besoj se është në rrugën e duhur për të fituar Topin e Artë. Ai është një lojtar i kompletuar, shënon dhe jep edhe asiste. Ka një teknikë të admirueshme dhe është shumë punëtor“.